“Si guxojnë këta kryebashkiakë…”?! Gazetari: Ose janë të papërgjegjshëm, ose kanë mbrojtje politike
Gazetari Ervis Iljazaj tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se kryebashkiakët socialistë, që po ikin një nga një për veprat e tyre penale, që nuk i kanë publikuar në formularin e Dekriminalizimit, ose janë naivë e të papërgjegjshëm, ose kanë mbrojtje politike.
Sipas tij, është e pamundur që Partia Socialiste të mos e ketë ditur të shkuarën e 61 kryebashkiakëve, dhe sidomos të atij të Bulqizës, që është edhe një komunitet i vogël.
“Pushteti lokal ka nevojë për një legjiritim. Kështu nuk mund të vazhdohet më. Po e damkosin rëndë pushtetin lokal në Shqipëri gjithë rastet që po dalin pas 30 qershorit. Ligji i Dekriminalizimit është shumë i ashpër. Jo të gjithë ata që i ndalon ligji, janë kriminelë. Ne kishim një të keqe ekstreme dhe duhej një mjet ekstrem për ta luftuar. Një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare është e “inkriminuar”, ky është fenomen i tranzicionit shqiptar, që po reflektohet dhe në politikë.
Ka përgjegjësi politike këtu, edhe personale. Ka raste, nuk i kam të verifikuara, ku PS i ka ditur veprat e këtyre kandidatëve, por edhe raste kur nuk i ka ditur. E gjykoj të pamundur të mos dish të shkuarën e 61 kryebashkiakëve, sidomos në komunitete të vegjël, si Bulqiza psh.
Si i ka gjetur PD? Fare lehtë, me denoncime njerëzish, nga komuniteti. Këtë gjë mund ta dijë shumë edhe partia që i kandidon. Si e marrin guximin këta që nuk e tregojnë veprën penale, në një kohë që flitet për Dekriminalizimin? Ose ata janë navië dhe të papërgjegjshëm personalisht, ose kanë mbrojtje politike”, tha gazetari.