“Si mund ta rrahësh të bukurën?”, Justina Aliaj thirrje për Teatrin: Të mos pritemi me thikë, t’i lëmë ashklat anash
Aktorja Justina Aliaj u shpreh shpresëplotë këtë mbrëmje se kauza e artistëve për Teatrin Kombëtar do të rezultojë e suksesshme në fund. Ajo ishte e ftuar në emisionin “Oda” të gazetares Edona Haklaj, ku foli jo vetëm për mbrojtjen e godinës së teatrit nga shembja, por edhe për mallin që ndjen për vendlindjen kur është jashtë, për ndjesitë që e shoqërojnë kur interpreton apo edhe për dashurinë e saj për poezinë.
Fillimisht, Justina Aliaj risolli në mendje përjetimin e parë pas rënies së tërmetit. Ajo u shpreh se një ndër pyetjet e para që i shkoi ndërmend në ato momente është nëse është dëmtuar Teatri Kombëtar.
“Ranë ato tërmete që nuk të marrin leje, nuk të tregon, nuk të paralajmëron, gjithëmonë je me dhimbje. Diaspora është shumë e dhimbshme sepse i merr të gjithë në telefon dhe i thuaj a janë të gjithë mirë. Po teatri? Nuk ka lëvizur një tullë.
Çfarë mrekullie! Të tërë murët e teatrit janë të gjithë aktorët në rresht me njëri-tjetrin duke na thënë: Vazhdoni kauzën, ne jemi kockë e fortë. Shpresoj në Zot se ne jemi në të drejtën tonë. Mendoj se do të ishte një thyerje, një zhgënjim i madh. Unë nuk dëshiroj me pas divergjenca kaq të mëdha, me u pre me thikë”, tha aktorja e njohur.
Duke u ndalur tek emocionet në skenë, por edhe tek marrëdhëniet mes aktorëve që po bëjnë qëndresë, Justina Aliaj deklaroi se artisti “ngopet” me duartrokitjet e publikut.
“Është vetëm respekt, i japim dorën dhe fjalën njëri-tjetrit në mënyrën më qytetare që mund të jetë, plus edhe me dashurinë e madhe. Është kënaqësi, aktori punon shumë, derdh djersë shumë dhe jeton me emocionin që përçon tek publiku. Ajo skenë është frymëzim.
Ne jetojmë me këtë dhe për këtë. Kur del duhet ta thuash fjalën disi ndryshe. Unë gjithmonë shoh pozitivisht, sado keq të jetë. Unë shpresoj shumë se do të vijë një ditë e mirë për teatrin. Unë them që kauza jonë është me e fortë se e tyrja dhe do të kutojnë që nuk ja vlen të luftosh për diçka që është sensibilzuar masa”, tha midis të tjerash aktorja.
E pyetur nga gazetarja Edona Haklaj për mallin që ndjen për vendlindjen kur është larg, ajo shtoi se kjo ndjenjë e djeg në shpirt.
“Diaspora, emigranti me ajër e merr vesh çfarë ndodh. Shumë prej tyre janë me zemër këtu. Asgjë nuk ta shkul, veçse të shtohet. Kam dhimbje malli”, pohoi Aliaj.
Më tej, ajo bëri edhe një analizë të vogël të gjendjes së artit sot. Sipas Justina Aliajt, në të janë të përfshira edhe të mirat, edhe të këqijat. Por ajo apeloi për mirënjohje dhe respekt mes aktorëve, që gjërat të përmirësohen edhe më shumë.
“Është me të përpjeta dhe me të tatëpjeta. Gjiçhka është e mundimshme dhe gjithmonë them se për të dalë diçka e bukur, vjen nga një lindje e vështirë. Asgjë nuk është e shkëputur, ato të gjitha shkojnë paralel. Për mua e rëndësishme është të kuptosh që kjo nuk është rrugë e drejtë, nuk them për këtë tonën. Në momentin që kupton që kjo nuk është rrugë e drejtë, atëherë do ta ndryshosh. Janë pjekur kushtet për më mirë. Duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin, duhet të kemi respekt. Mirënjohja është e para, mosmirënjohja është nëna e gjithë të këqijave”, u shpreh aktorja.
Ajo rrëfeu edhe momentin kur policia zbarkoi tek godina e Teatrit Kombëtar dhe u përlesh me artistët. “Kam ndodhur këtu dhe kur e mora vesh erdha direkt pa hezituar fare, ngadalë-ngadalë. Shkova ndejta në një qoshe dhe i shikoja. Them vetëm po pse? Kjo është absurde. Si mund të rrahësh të bukurën? Si duket duhet me i përshku disa rrugë për me ec, për të avancuar, për të lënë ashklat anash”, tha Justina Aliaj.
Ajo ndau me publikun edhe dashurinë e saj për poezinë, ndërsa renditi edhe disa prej poetëve të saj më të dashur. “Poezia më pëlqen shumë, madje poezinë e quaj nektar të prozës. E dua shumë. Kam shumë poetë të preferuar, por ndër shqiptarët Ndre Mjedën e dua shumë. Gjithë kombi e do, edhe në Korçë, edhe në Sarandë e duan. E dua shumë Migjenin, Dritëro Agollin, Naim Frashërin. Sigurisht të përulemi para tyre, nëse duam të bëjmë diçka të bukur, ktheju të mëdhenjve se nëse nuk bëhesh si ata, ti diçka do marrësh nga ata”, tregoi aktorja Justina Aliaj.