Si në Prishtinë edhe Tiranë, justifikohen nxënësit që braktisën mësimin

Interesante. Në Tiranë dhe Prishtinë është festuar gjerësisht kualifikimi historik i ekipit tonë kombëtar, për në Europianin Francë 2016.

Kanë qenë përgjithësisht nxënës të gjimnazeve që braktisën mësimin për të festuar.      

Ikjen e sotme nga orët e mësimit të nxënësve të shkollave të Prishtinës, është arsyetuar dhe përkrahur njëlloj nga autoritetet arsimore të dy vendeve.

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci.

Nagavci ka thënë se fitorja e Kombëtares është e rëndësishme dhe se  orët e humbura të mësimit do të zëvendësohen.

“Festa e mbrëmshme gjithandej në viset shqiptare ka vazhduar nga nxënësit e Prishtinës. Sot më njoftuan se nxënësit me vetorganizim, pas orës së dytë të mësimit, kanë festuar fitoren e Kombëtares dhe kualifikimin për Europian. Në bisedë me drejtorin e shkollës u pajtuam që të krijohen mundësitë për zëvendësimin e orëve të humbura dhe unë besoj se mungesa të tilla nuk do të përsëriten. Edhe pse nxënësit do të duhej të ishin në mësim në këtë kohë, kjo vërtet është ngjarje e rëndësishme, kualifikimi i Kombëtares na jep shpresë dhe besim për fitore të reja, andaj ne ndajmë bashkë me nxënësit entuziazmin dhe gëzimin për këtë fitore!”, thotë Nagavci

Edhe nxënësit e gjimnazeve të Tiranës e kthyen sot ditën e mësimit në një ditë feste.

Shumë shkolla të mesme nuk zhvilluan sot mësim, pasi nxënësit dolën në rrugë për të pritur ekipin e Kombëtares shqiptare, pas kualifikimit për herë të parë në Kampionatin Europian.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se këto orë do të zëvendësohen dhe për një ditë historike si kjo e sotmja, të gjithë të rinjtë kanë të drejtë të festojnë dhe të presin ashtu siç duhet ekipin e tyre të zemrës. Kombëtarja fitoi dje 0:3 përballë Armenisë duke siguruar kualifikimin historik në “Euro 2016”, që do të zhvillohet në Francë.  Kësisoj, ata janë justifikuar për braktisjen e orëve të mësimit.

SHKARKO APP