Si nisi bitisi me arnime opozitare!

Nga Nest Zefi-
32 vjet ma parë, mbas 24vitesh katakombesh dhe ateizëm shtetnor, pra, me 31mars 1991, festonim e kremtonim ditën e Pashkëve në liri dhe bash në atë ditë ishte caktue dita e zgjedhjeve të para pluraliste, sigurisht mbrenda të njejtit lloj e soj. Partia e Punës, krijesa ma antishqiptare e kriminale e historisë tonë, në nji plenum të  saj kishte institucionalizue pluripartizmin për me realizue mbijetesën e vet në kushtet e dështimit të saj në tana fushat, sidomos ai ekonomik.
Në fakt, 31 marsi i vitit 1991 vulosi qysh në krye të herës se Partia e Punës ishte “pararoja e pamposhtun” jo vetëm e sundimit gjakatàr 50-vjeçàr, por edhe vazhduesja në kondita makiaveliste e sundimit vrastàr 500-vjeçàr të trojeve shqiptare. Alternativa që ajo kishte “lejue” mbrenda llojit të saj, ishte kryevepra e mashtrimit, jo vetem me rinovue vetveten në kushte gjoja demokratike, por edhe me përdhosë kauzën e atyne pak qendrestarëve të vërtetë moral e politik, nji pjesë e të cilëve me naivitet të skajshëm e pse jo doza çakallizmi, mênduen se e gjetën “Mesinë” në prijësin e alternativës së parë demokratike, produkt i skalioneve të bllokut komunist. Realisht e për hìr të vërtetës duhet thânë se 31 marsi i vitit 1991 dëshmoi kjartë se modeli i komunizmit shqiptàr që përsonalisht e përdorë vetëm në rrafshin konvencional, s’kishte asgjâ të përbashkët me lindjen komuniste e vêndet fqîje dhe modelin e tyne të aplikimit.
Në krejt Europën e lindjes Partia Komuniste në pushtet humbi bindshëm zgjedhjet e para pluraliste, ndërsa në Shqipnì i fitoi “çuditnisht” Partia Komuniste që kishte sundue për 50 vjet…
Tundimi i parë për me shpjegue kët trend asht me i vû fajin popullit, me përdorë justifikime të thjeshta teknike apo me përsëritë banalitete të tipit “sindroma e stokholmes” e me rradhë. Sigurisht mund të ketë disa të vërteta të vogla në të gjitha hamêndësimet e mâsipërme, por kurrësesi shumatoria e hamêndësimeve përfton nji të vërtetë të kjartë dhe të pakundërshtueshme. E vërteta e madhe asht se partia e lejueme prej plenumit të partisë së madhe dhe tefteri i saj themelues, i shkarravitun mbi shpinën e të birit të prokurorit famëkeq të Partisë Komuniste Josif Pashko, ky i fundit teoricien i terapisë shock, prà, të shkatërrimit të çdo gjâje të bâme në socializëm, u prit me dyshim të madh prej asaj pjese menduese dhe realisht të persekutueme të popullit të vuejtun shqiptàr, i cili e kuptote metodën delirante e joshëse të saj. Prandej, alternativa mbrenda llojit, vazhdoi me misionin bllokues të nji mundësie me pasë nji opozite konceptuale, e aftë me ndërtue nji shtet demokratik dhe me parime perëndimore.  Ndoshta, disa sjellje vandaliste, të modelit të sigurimit të shtetit me nxit strategjinë e tensionit, të disa eksponentëve çakej të opozitës formale, krijuen premisat që të fitote Partia e Punës, tashmâ në grahamat e fundit.
Realisht mâ fort se Partia e Punës, tue kênë nji njohës e jetues me vetëdije i asaj periudhe, edhe pse i vogël në moshë, mendoj se elektorati i traumatizuem shqiptàr, shpërbleu nji bërthamë të vogël shtetarësh të rì që, 50 vite tentativash me i futë disa elemente rudimentale shtetit, kishte përftue me vështërsì në fundin e viteve “89, tue dhanë mesazhin që asht kundër shkatërrimit në veprim e për pushtet,  edhe pse në êmen me gjasë të anti-komunizmit. Kjo luftë mbrenda llojit, mes rrymave të otomanëve të vjetër e xhonturqve, në nji klimë artificiale të polarizueme, pati përballjen e parë me 31 mars 1991 dhe tregoi katërciperisht se historia politike e shoqnore e realitetit shqiptàr nuk mund të shpjegohet me paradigmat tradicionale të kopjueme në vêndet perendimore, por ka nji natyrë thellësisht autarkike të shpjegimit të saj. Cinizmi pragmatist i krenave të reja të Partisë së Punës, i gërshetuem me qasje profetike, të cilat e përdoren fitoren elektorale të 31 marsit 1991, jo me mbajtë pushtet, por me i dhanë të ardhme të sigurtë pushtetit të tyne në kushtet e reja të evoluimit të realitetit politik e shoqnòr, bâte kontrast të fortë me strategjinë e partisë së parë opozitare e kreut të saj, i cili, tue mos pasë kauzë të veten, përveç afrodizuakut artificial të pushtetit përsonal dhe tue testue refuzimin popullòr, pavarësisht së leçitte nji kauzë të drejtë si retorikë, në vênd që të bâhej burrë shteti, preferoi me u bâ kryetari i nji intifade përmanente elektorale, artificialisht populiste, të mbrojtun me retorikë instinktesh të ulta.
31 marsi i 1991 varrosi shpresën për nji opozitë alternative, valoriale e kulturore, trashigimtare të dêjë të atij oazi qendrestàr që aq ndèr e dinjitet i kishte dhanë kombit shqiptàr në kursin e historisë së tij martire.
Thirrjet patetike të tipit “e duem Shqipninë si tanë Europa” ishin thjeshtë vazhdim i slloganeve haxhiqamiliste “duem babën” dhe refleks i kushtëzuem i nji romanticizimi dy lekësh të modelit të bejtexhive, të cilin diktatori Hoxha e përfeksionoi deri në perversion, sa vazhdon me molepsë edhe sot mêndjet e shumicës të shqiptarëve e me gjasë elites së saj kulturore. Edhe pse nji vit mâ vonë, pikërisht me 22 mars 1992, Partia e Punës humbi zgjedhjet – se pushtetin nominal e kishte humbë mâ përpara – ajo kuptoi kjartë se i kishte forcue tmerrësisht pozitat e veta e të bijve të saj biologjik e politik, pavarësisht nji të shkueme të kristaltë kriminale, sepse kishte bllokue afirmimin e nji opozite reale. Sofistikimi i saj ishte mbreslânës, puna e pendimit për “do gabime”, e recitueme me hipokrizì prej njerëzve të vet, kryevepër e mashtrimit e në kët trendin e saj të rizaptimit kulturòr të shoqnisë shqiptare, kreu i intifadës demokratike, vazhdote me modalitetet e Koçi Xoxes & Mehmet Shehut, prà dorës vrastare të diktatorit Hoxha, për me konsolidue pushtetin përsonal, tue bashkpunue me pjesën mâ të keqe e të neveritshme të të galaksisë të nandheshme të pushtetit komunist si dhe disa paterica dekorative te ish të perskutuemve aksdental të regjimit. Nen dritën e ktyne impulseve sporadike reflektimi, me përjashtim të vitit 1992, kur konverguen nji serì faktorësh me i dhanë fitoren alternativës së rè që lindi mbrenda kontekstit të Partisë të Punës, në të gjitha zgjedhjet e zhvillueme mâ vonë, Partia mëmë e Punës me êmën të rì, i ka fitue të gjitha zgjedhjet, pavarësisht devijimit manipulativ e të dhunshëm në disa raste që u bâni kreu historik i intifadës elektorale, tue shprazë krejt arsenalin e tij total e totalitàr. Sot kur kreu intifadës elektorale permanente ka fillue moshën e andropauzës biologjike e politike, tue turbullue e asgjësue me lojna kapriçoze çdo mundësi për opozitë normale, habitemi se si vêndi ka mbetë pa opozitë dhe dominon rândshëm hungrimi dhe turri propogandistik i rilindjes të bijve biologjik e politik të ish Partisë të vjetër të Punës.
Krejt faji i veshet Lulzim Bashës për reduktimin e tkurrjen e frikshme të partisë të cilit ia trashëgoi, tue anashkalue ndonji bartës a bartëse natyrale të historisë të opozitës shqiptare, pikërisht kreu i intifadës elektorale, në nji kohë që kishte ardhë momenti me realizue nji opozite vërtet alternative e jo ortake alternimi të ish Partitë të Punës.
Partitë kanë nevojë për njerëz të virtytshëm dhe nuk janë abstraksione e çështje êmërtimit e në kët prizëm afrimi te pozita apo opozita i njerëzve me integritet e kulturë integrale, pa pritë përfeksioinin e krenve të tyne, duhet të jetë qasja e raportimit me ta i çdo njiri vullnetmirë, në vênd të strategjisë së bojkotit dhe aleancave jo natyrale sall për mbijetesë pushteti.
Kultura e delegjitimimit apriori, liria si koncept lirimit të instinteve, konkurrenca në vese e në vjedhje të gjithçkaje, përfshì edhe votën, korrupsioni galopant, alternativa mes kioskave me paçë e qebabë, e kullave të betonit bosh për me drenazhue paret e krimit, element të cilët kanë karakterizue kto 32 vjet përballje politike e shoqnore dy alternativat pa alternativa të polikës tonë, shpresojmë të zâvêndësohen sa mâ shpejt me ndihmën e katalizimin e faktorit ndërkombtàr se ndryshe Shqipnia do të boshatiset mâ keq se mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Në thelb, metodat otomane të qeverisjes përftojnë eksode biblike e kët e ka dëshmue bollshëm historia e vjetër dhe e re.
Banditizmi asht fenomen kulturòr e politik në Shqipnì e kjo betejë nuk fitohet tue ratifikue me pasivitet slloganet mjerane të nevojës për opozitë..Nji opozite si kjo që nuk lejon qarkullim elitash dhe asht shndrrue në skuadër pushkatimi me militantët e vet trushpërlamë për me dëbue të djathtit e vërtetë që janë në shpi të vet, nuk i duhet gja popullit e kontekstit shqiptar, mbasi asht serumi eskluziv që mban në pushtet rregjimin e stërkorruptuem të Ramës dhe Partisë të Punës me emën socialiste. Sa ma shpejt ta kuptojmë aq ma shpejtë lirohena prej iluzionit. Mbas 30 vitesh, prep opozita, tashma demek e rithemelueme, ka slloganet e para 32 vitesh, tue demostrue krejt inkonsistencen e vet.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?