Si paraqitet gjendja shëndetësore e 913 të lënduarve nga tërmeti

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, 913 persona të lënduar nga tërmeti kanë marrë trajtim në spitale. Gjatë orëve të fundit, në Spitalin e Traumës janë paraqitur 13 qytetarë me lëndime të lehta dhe 34 pacientë janë shtruar në këtë spital për shkak të lëndimeve.

Për fat të mirë, gjendja e të lënduarve të tjerë paraqitet e qëndrueshme. 3 pacientë, përfshirë këtu Ramë Lalën, i vetmi i mbijetuar i familjes Lala, janë nisur drejt Italisë për ndihmë të specializuar mjekësore.

E vetmja që ndodhej në gjendje kritike për jetën ishte 20-vjeçarja Xhesika Biqiku. Për fat të keq, Xhesika ndërroi jetë sot. Ajo jetonte me familjen në një pallat në Kombinat (Tiranë) dhe u godit nga një tullë teksa përpiqej të largohej nga pallati. Pas goditjes, Xhesika qëndroi në gjendje kome. Largimi i saj drejt Italisë ishte i pamundur, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Numri i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit shkon në 51.

SHKARKO APP