Si po përfitojnë kartelet e drogës nga pandemia
Sipas ekspertëve të ekonomisë, pandemia e koronavirusit ka krijuar papunësi të madhe. Por nga e gjithë kjo krizë janë duke përfituar kartelet meksikane. Në Meksikë qeveria akuzohet se nuk po bën asgjë për të ndihmuar njerëzit. Por disa kartele të fuqishme droge janë duke përfituar nga ky fakt.
BBC ishte në një prej shtëpive të sigurta të një prej karteleve më famëkeqe, asaj të Sinaloas, për të parë se ç’bëjnë në këtë periudhë. Disa pjesëtarë të bandës paketojnë ushqim falas për t’ua dërguar familjeve të varfra.
“Ky është momenti që njerëzit kanë nevojë për ne më shumë se kurrë, sepse qeveria nuk po i ndihmon fare”, thotë një prej anëtarëve, i cili shton se këto ushqime do të shpërndahen nëpër fshatra.
Paketimi i ushqimeve është i shënuar me emrin Joaquin “El Chapo” Guzman, liderin e famshëm të kartelit sinaolan, i cili tashmë është dënuar me burg të përjetshëm në SHBA për trafik droge dhe pastrim parash.
Sipas mediave kartelet synojnë të marrin mbështetje nga njerëzit. Ekspertët thonë se këto nuk janë akte bamirëse.
“Kartelet nuk janë Robin Hudi. Në këmbim të kësaj ata kërkojnë mbështetjen e shoqërisë që t’i përdorin si mburojë sociale për të mbrojtur kartelet dhe familjen nga operacionet e ushtrisë”.
Kartele të tjera janë të përfshira në atë që konsiderohet si narko-filantropia.