Si ranë në kurth gjyqtarja dhe avokati, Ademit iu gjetën lekët në portofol, Ndokës në çorape

 

Prokuroria zbardh një skemë të marrjes së rryshfetit në sistemin gjyqësor në këmbim të një dënimi të favorshëm.

Është rasti i gjyqtares së Gjykatës së Lezhës Parashqevi Ademi dhe avokatit Gjovalin Ndokaj të cilët prej 11 qershorit janë në qeli. Ndaj tyre sot gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e arrestimit burg, ndërkohë që prokuroria zbardh skemën që futi në kurth avokatin dhe gjyqtaren.

Djali dhe nëna e tij ishin në gjyq për një vepër penale dhe avokati i caktuar kryesisht nga gjykata fillimisht I kishte thënë se mund të dënoheshin me burg por nëse do ti jepnin një kafe gjyqtares atëherë do të jepej një dënim me kusht. Pasi bën denoncimin në prokurorinë e Krimeve të Rënda, vijon puna për kryerjen e veprimeve simuluese.

Djalit i jepen kartmonedha me prerje të fiksuara në procesverbal në shumën e 200 mijë lekëve. 15 mijë lekë nga kjo shumë iu gjtën avokatit në çorape ndërsa gjyqtares iu gjet shuma tjetër prej 50 mijë lekësh në portofol.

Paraprakisht, ky avokat u ka thënë se ai dhe mamaja e tij rrezikonin të dënoheshin me burg deri në tre muaj, më vonë u ka thënë se mund të dënoheshin me një gjobë rreth 50 mijë lekë, duke i ofruar edhe një kafe gjyqtares së çështjes.

Ora News zbardh kërkesën e prokurorisë për t’i kërkuar gjykatës masën e arrestit burg për gjyqtaren e avokatin ku zbulohet dhe s’kema e korrupsionit. (Shënim: Nëntitujt janë redaksionalë )

Propozimi i avokatit: Një kafe për gjyqtaren për të ulur dënimin për nënë e bir

Rezulton se më datë 10.06.2015 Prokuroria për Krimet e Rënda ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal.

Më datë 10.06.2015, kallëzuesi i veprës penale shtetasi A.P, është paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për të kallëzuar faktin se avokati Gjovalin Ndokaj, i cili ishte caktuar kryesisht nga Gjykata si avokat i tij dhe i nënës së tij, shtetases M.P, në gjykimin penal të zhvilluar në Gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë, i ka kërkuar 2 milion lekë të vjetra për t’ia dhënë gjyqtares në këmbim të caktimit të një dënimi me kusht. Paraprakisht, ky avokat u ka thënë se ai dhe mamaja e tij rrezikonin të dënoheshin me burg deri në tre muaj, më vonë u ka thënë se mund të dënoheshin me një gjobë rreth 50 mijë lekë, duke i ofruar edhe një kafe gjyqtares së çështjes.

Propozimi: 2 mln lekë për konvertimin e burgut në punë të dobishe

Më datë 09.06.2015, kur A.P ka patur seancën e radhës, avokati Gjovalin Ndokaj u ka thënë të dyve (A.P dhe M.P), se “kishte folur me gjyqtaren dhe se duhej t’i jepnin 2 milion lekë të vjetra gjyqtares për të mbyllur çështjen, ata do dënoheshin me 18 muaj me kusht dhe do bënin punë në dobi të Bashkisë.”

Denoncuesi jep paratë avokatit

Më datë 10.06.2015, është autorizuar kryerja e veprimeve simuluese ndërmjet kallëzuesit A.P me avokatin Gjovalin Ndoka. Rezulton se A.P më datë 10.06.2015, ka nënshkruar marrëveshjen për kryerjen e veprimit simulues dhënies së shumës prej 200.000 lekë shtetasit Gjovalin Ndoka. Më datë 11.06.2015 pasi është bërë numërimi, fiksimi dhe dorëzimi i sasisë prej 200.000 lekësh që do të përdorej për simulimin e një akti korruptiv, shtetasit A.P, është proceduar me dhënien e kësaj shume avokatit Gjovalin Ndoka. Seanca gjyqësore përfundimtare e shpalljes së vendimit ishte caktuar për në datë 11.06.2015 ora 11:30, në Gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë.

Nënë e birë dënohen me kusht, i shpëtojnë burgut

Rezulton se shtetasi Gjovalin Ndoka pasi ka marrë shumën e parave prej 200.000 lekësh, është drejtuar tek Gjykata e rrethit gjyqësor Lezhë. Pasi ka qëndruar për njëfarë kohe në ambientet e kësaj Gjykate rezulton se në ora 11.30, ka filluar seanca gjyqësore për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të A.P dhe M.P, në një nga sallat e gjykimit të Gjykatës së rrethit gjyqësor Lezhë, ku rezulton se kallëzuesi A.P dhe M.P të kenë hyrë në sallën e gjyqit.

Pas disa minutash rezulton se gjyqi ka përfunduar dhe se kallëzuesit janë dënuar me kusht nga gjykata. Po ashtu, pasi kallëzuesi A.P ka dalë nga salla e gjyqit, avokati Gjovalin Ndoka ka qëndruar në sallë bashkë me gjyqtaren, dhe më pas ai ka dalë nga salla e gjyqit.

Avokatit i gjenden 150 mijë lekë në çorape

Rezulton se avokati është drejtuar për në zyrën e tij, dhe nga ana e policisë gjyqësore është vajtur për kontroll në ambjentet e zyrës së tij. Gjatë kontrollit personal, atij i janë gjetur të fshehura brenda në çorape dhe shuma prej 150.000 lekësh kartmonedha me prerje të fiksuara me procesverbalin e dorëzimit të parave për kryerje të veprimit simulues datë 11.06.2015.

Në orën 12:05 të datës 11.06.2015, është proceduar me kapjen në flagrancë të shtetasit Gjovalin Ndoka, avokat pranë Dhomës së Avokatisë Lezhë.

Gjyqtares iu gjetën paratë në portofol

Pas këtij veprimi dhe pas mosmarrjes së një përgjigje, nga ana e avokatit se ku ndodheshin shuma prej 50.000 lekësh, dhe duke qenë menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, pra në kushtet e flagrancës dhe në ndjekje të parave të dhëna në kuadër të një akti korruptiv, nga ana e policisë gjyqësore është vajtur për kontroll në zyrën e gjyqtares Parashqevi Ademi në ambientet e Gjykatës së rrethit gjyqësor Lezhë, dhe gjatë kontrollit brenda në çantën e saj, në një portofol me ngjyrë bezhë dhe stampim të kuq në mes, janë gjetur 10 kartmonedha 5000 lekëshe që kishin numrat e serisë sipas procesverbalit të dorëzimit të parave për kryerjen e veprimit simulues personit të autorizuar A.P datë 11.06.2015.

Gjyqtarja: Paratë mi la avokati në tavolinë

Shtetasja Parashqevi Ademi është shprehur në procesverbalin e kontrollit që këto para ia ka lënë në tavolinë avokati Gjovalin Ndoka dhe se nuk ka patur pretendime për kontrollin.

Më tej është proceduar me kapjen në flagrancë të kësaj shtetaseje.

Sekuestrohen CD audio e seancës

Nga ana e policisë gjyqësore është sekuestruar dosja e gjykimit në ngarkim të shtetasve A.P dhe M.P së bashku me CD-në, e regjistrimit audio të seancës të zhvilluar më datë 11.06.2015 nga përmbajtja e të cilës rezulton se dy personat A.P dhe M.P janë dënuar për veprën penale të parashikuar nga neni 130 i Kodit Penal, me burgim për dy muaj duke iu pezulluar ekzekutimi i burgimit dhe duke kryer punë në interés publik.

Gjyqtarja: Lekët i futa në portofol por do bëja denoncim

Nga pyetja e të arrestuarës datë 12.06.2015 rezulton se Parashqevi Ademi e pranon se pas seancës gjyqësore me palë A.P dhe M.P të pandehur, pasi ka shpallur vendimin, avokati Gjovalin Ndokaj i ka lënë lekët mbi tavolinë në zyrën e saj dhe ka ikur. Ajo nuk pranon që të ketë kërkuar para për këtë cështje penale, për të favorizuar askënd dhe se lekët që iu gjetën brenda në cantën e saj, i kishte futur aty por do të bënte kallëzim penal, por për shkak të kohës së pamjaftueshme pasi ka vajtur policía në zyrën e saj, nuk e ka patur të mundur të procedente me kallëzimin.

Avokati: Lekët ia lashë gjyqtares në tavolinë. Ishte haku i punës time

Nga pyetja e të arrestuarit Gjovalin Ndokaj, datë 12.06.2015 rezulton se ai e pranon se i ka lënë në zyrë Parashqevi Ademit, pas seancës gjyqësore me palë A.P dhe M.P të pandehur, pasi ka shpallur vendimin, dhe më pas ka ikur. Ai nuk pranon që të ketë patur një marrëveshje mes të dyve, dhe se shuma prej 200000 lekësh është kërkuar si hak për punën e tij si avokat.

Arrestimi 

Në orën 13.30 të datës 11.06.2015 Policia Gjyqesore ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetases: Parashqevi Ademi, lindur më 1960, profesioni Gjyqtare, e dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 të Kodit Penal

SHKARKO APP