Si u ”josh” nga oferta e Nokës për kalimin në grupin e Berishës? Flet Çollaku: Jam gati që të…

Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku është gati të normalizojë marrëdhëniet me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Ai thotë se pjesëmarrja në mbledhjet e grupit parlamentar apo Këshillit Kombëtar do të varet nga bashkimi i bazës, pas udhëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, i cili “joshi” me kooptime në struktura të gjithë mbështetësit e Lulzim Bashës.

“Qëndrimin tim apo rinormalizimin e marrëdhënieve, qoftë me grupin parlamentar, qoftë edhe forumet e partisë e kam kushtëzuar brenda vetes me ndjekjen dhe monitorimit të unifikimit në degë. Në rast se projekti i djeshëm do të ketë vullnet të sinqertë të zbatohet dhe nuk kam ndonjë element të dyshoj, por sigurisht kërkon monitorim. Atëherë nuk shoh edhe unë personalisht ndonjë pengesë të normalizojë marrëdhëniet me strukturat drejtuese”, tha Çollaku për A2.

Edhe udhëzimet e Berishës në mbledhjen e Kryesisë, që konfirmoi se primaret do të respektohen për listat e deputetëve, duket se po bindin edhe më shumë Çollakun të hedhë hapat e fundit për të kaluar pragun e selisë blu.

Prej kohësh Çollaku ka artikuluar projektin për një fraksion brenda radhëve të demokratëve dhe pranon se ka nisur negociatat me deputetë të tjerë për ta finalizuar. “Nuk është sekret, mund të them që jam në bisedime me kolegë të mi. Unë jam për bashkim unitar të partisë. Por në rast se bëhen 6 deputetë që kundërshtojnë linjën zyrtare të partisë, unë bëhem firma e 7 për ta regjistruar një fraksion brenda PD”.

SHKARKO APP