Si u lokalizua dhe prangos i riu me precedentë kriminalë, policia jep detajet (Video)
Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, një shtetas i shpallur në kërkim, me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe të armëmbajtjes pa leje.
33-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi që ishte në kërkim, organizuan punën për kapjen e tij.
Si rezultat i mirorganizmit të punës u bë e mundur që në rrugën “Sami Frashëri” të lokalizohej dhe të kapej shtetasi K. Gj., 33 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, person me precedent të theksuar kriminal.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore Policisë Elbasan, pasi Gjykata e Apelit Durrës, në vitin 2019, i ka vendosur masën e sigurimit personal ”Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Veprimet e mëtejshme për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës u kryen nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.