Si u shit për 100 mijë lekë vajza nga Elbasani që u gjet e vrarë në Amsterdam

Trupi i një femre shqiptare të vrarë në Amsterdam në vitin 1997, i përket Zyrah Hidës, me banim në lagjen “11 nëntori” në Elbasan.

Nëna e tre djemve ka një histori shumë të dhimbshme.

Sipas së motrës, Xhuljeta Hida, ajo është martuar që kur ishte 14 vjeçe me Petrit Baushin, me banim në fshatin Muriqan të Cërrikut.

Por gjërat nuk kanë shkuar mirë.

Mes çiftit ka pasur grindje të vazhdueshme e për pasojë ka ardhur edhe divorci.

Më pas janë ribashkuar sërish dhe kanë qëndruar te shtëpia e motrës së burrit në një lagje periferike të Elbasanit.

Këtu e ndjera është përballur me një realitet akoma më të hidhur.

Është rrahur, është keqtrajtuar, është përbuzur nga bashkëshorti dhe njerëzit e tjerë të tij.

Ka bashkëjetuar njëkohësisht me gruan e dytë të bashkëshortit. Ka ndarë një krevat më të. Është rikthyer sërish në familje.

Por aty nuk e kanë pranuar.

Është detyruar të kthehet sërish tek bashkëshorti dhe aty kanë nisur negociatat për ta shitur si prostitutë në Itali.

Është shitur për 100 mijë lekë, shkruan gazeta Shekulli.

Në nëntor të vitit 1996 ka hyrë në kontakt me Xhuljetën, ku e ka njoftuar se ndodhej në Romë nën kujdesin e një personi me emrin Titi.

Për vit të ri ka sjellë edhe 60 mijë lekë, me premtimin se do të sillte sërish të tjera.

Kontakti i fundit me motrën ka qenë në mars të vitit 1997.

Më pas nuk kanë pasur asnjë njoftim.

Xhuljeta Hida shprehet se në atë kohë ka kryer kallëzim penal për zhdukjen e së motrës.

Por nuk morën vesh për fatin e saj.

Kanë pasur frikë të denonconin pasi kanë menduar se trafikantët mund të hakmerreshin ndaj familjes dhe fëmijëve të saj.

Xhuljeta Hida fajëson nënën dhe një nga vëllezërit e saj në këtë histori.

Ajo pohon se nuk do t’i falë kurrë gjatë gjithë jetës, pasi mendon se ata kanë qenë shkaktarët që Zyraja është larguar.

Familja kërkon nga shteti që të ndihmojë në ardhjen e eshtrave për të kryer varrimin në Elbasan.

Për të tjerat shprehet se janë punë të policisë dhe drejtësisë.

Shpëtim Hida: Si e njoha mamanë të vrarë në Amsterdam

Shpëtim dhe Marenglen Hida nuk mundën me t’i mbanin lotët kur u takuan me grupin e gazetarëve të emisionit “Varr pa emër” të televizionit holandez SBS. Pas 19 vjetësh pritje, mësuan se nëna e tyre është vrarë. Janë djemtë e Zyra Hidës, një të reje shqiptare, e cila u gjet pa jetë në një nga sheshet kryesore të Amsterdamit, korrikun e vitit 1997. Historia e saj u publikua në televizionin “Klan”, si pjesë e përpjekjeve të këtij grupi gazetarësh holandezë, për ta identifikuar. Ajo është varrosur në Amsterdam në mesin e 300 viktimave pa emër.

Djali i saj i madh, 31–vjeçar, thotë se e ka njohur menjëherë, sapo e ka parë foton e saj në edicionin e lajmeve. “Duke parë lajmet, i thashë nuses: “Kjo më duket se është mamaja ime”. – “Jo, nuk e  besoj”, – tha nusja. “Po, po” – i thashë. Në atë kohë dola tek interneti, pashë fotot, mora dhe fotografitë, e verifikoj me gjithë foton dhe them, ajo është. Vjen dhe vëllai, i them dhe vëllai. Pastaj marrim në telefon tezen, lajmërojmë ata të familjes”, shprehet Shpëtim Hida. Kontaktet me nënën e tyre i kishin humbur një muaj para se ajo të zhdukej, në qershorin e ’97 -ës.

E dinin që jetonte në Romë. Prej atje u kishte dërguar disa herë para dhe dy foto. Në njërën prej këtyre fotografive ajo shfaqet nën shoqërinë e një burri. Djemtë kujtojnë se nëna e tyre i kishte thënë babait të saj, që ai quhej “Titi”. Jetonte me të në Romë. “Ky është personi që ka qenë i fundit me atë…”, thotë Shpëtimi. “Nga sa mbaj mend, – shton ai – emrin më duket se e ka Titi dhe më duket se është nga Fieri”. Djemtë e Zyrah Hidës kishin bërë disa herë përpjekje për të mësuar se fat kishte pësuar nëna e tyre. I ishin drejtuar policisë së Elbasanit.

Shpëtimi: Është nëna jonë.

Gazetari: Si e ka emrin?

Shpëtimi: Zyrah Hida. Nuk e dinim, nuk e kishim idenë nëse ekzistonte, ishte gjallë apo vdekur. Që në ’95 nuk e kishim idenë fare se ku ishte. Në ’97 u bë e gjallë, merr në telefon, ndërkohë na sjell disa lekë, herën e parë, herën e dytë. Na sjell edhe këto fotografitë. Herën e tretë, tha që do t’ju sjell lekë, nuk morëm më asnjë kontakt mbrapa, as lekët, as kontakt më me atë.

Gazetari: Këtë shtetas në foto nuk e keni parë më në Elbasan?

Shpëtimi: Nuk e kemi parë, nuk e dimë se ku jeton dhe se nga bëhet.

Gazetari: Keni dyshime se ky mund të jetë personi që mund të ketë dijeni për fatin tragjik të jetës suaj?

Shpëtimi: Nuk e  dimë, nuk mund të themi. Por që është ky personi i fundit që ka qenë me të kur kemi patur ne kontakte, ky është.

Gazetari: Ju kur e keni bërë denoncimin si familje?

Shpëtimi: Në ’97, ka qenë drejtor Mond Koseni, mesa mbaj mend unë. Dhe kemi bërë 2, 3 herë denoncim aty, por nuk na kanë dhënë asnjëherë asnjë lloj informacioni.

Gazetari: Tani, autoritetet shqiptare kanë një tjetër sfidë. Duhet të zbulojnë nëse është ky personi që ka gisht në vrasjen e Zyrah Hidës?

Shpëtimi: Duhet ta zgjidhi, shteti, qeveria këtë punë, duhen kap personat. Si shteti, shqiptar, si ai holandez, të na ndihmojnë për të kthyer trupin e nënës sonë. Këtë kërkojmë.

SHKARKO APP