Si u vra biznesmeni 54-vjeçar në Laç, policia ka disa të dyshuar
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur mëngjesin e sotëm në Laç, ku mbeti i vdekur 54-vjeçari R. Rroli.
News24 njofton se viktima dyshohet se është ruajtur nga atentatorët dhe sapo ka dalë nga banesa është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Ajo tha më tej, se policia ka disa persona të dyshuar lidhje me këtë ngjarje dhe ka shoqëruar në komisariat disa persona.
Pista kryesore që po hetohet deri më tani është ajo e konflikteve të mëparshme, pasi viktima, Rakip Rroli, ishte përfshirë në një konflikt 10 vite më parë, ku së bashku me një person tjetër, lanë të plagosur një 20-vjeçar.
Ndërkohë në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie, të cilët kanë ngritur pika kontrolli në hyrjet dhe daljet e qytetit. Deri më tani, nuk ka raportime për makinë të djegur, një skemë kjo e përdorur nga atentatorët thuajse pas çdo vrasje të ndodhur.