Siguria mjedisore, Kuko: Prioritet të ndërgjegjësojmë shoqërinë
Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko tha sot se siguria mjedisore duhet të jetë në top listën e prioriteteve të zyrtarëve vendorë, qoftë të zgjedhur, qoftë të emëruar të cilët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre dhe nga ana tjetër të marrin përsipërpërgjegjësitë dhe pasojat sipas rastit kur nuk zbatojnë kompetencat të ngarkuar nga ligji. Kuko foli në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare” ku theksoi se në prizmin e prioriteteve, merr vlerë vendosja para përgjegjësisë e gjithë aktorëve që nuk ushtojnë kompetencat e tyre. “Rritja e masës së ndëshkimit mund të jetë një masë tjetër që i shërben kësaj kauze, prandaj e shohim si të mundshme dhe me interes forcimin dhe përshkallëzimin e masave ndëshkuese për të gjithë autorët që kryejnë vepra penale të parashikuara si krime mjedisore”.
Nga ana tjetër, Kuko tha se struktura qendrore apo lokale që janë ngarkuara me detyra specifike, për të patur sukses në këtë njësi inspektimi në çdo rreth ka nevojë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e çdo organi qendror apo vendor i cili merret drejtpërdrejt apo tërthorazi me çështje të mbrojtjes së territorit. “Në këtë prizën roli i prefektit të qarkut është mjaft i rëndësishëm pasi ai mund të shërbej si një hallke kyçe në ekzekutimin e shpejtë të masave mbrojtëse apo parandaluese në mjedis. Megjithatë, qëllimi ynë është të ndërgjegjësojmë të gjithë shoqërinë me çështjen mbrojtjes së mjedisit, është një çështje që i përket patjetër strukturave, u përket qytetarëve të rinjve i përket aktivistëve. Mjedisi është shtëpia jonë. Natyra është shtëpia jonë”.
Në vijim Kuko vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin rajonal në mbrojtje të mjedisit. Po ashtu, Kuko shtoi se: “Siguria mjedisore është pjesë e sigurisë së përgjithshme të jetës dhe pjesë e këtij vendi dhe me një ndikim afatgjatë, prandaj kërkohet ndërgjegjësim në radhë të parë, parandalim me masa efikase dhe masa mbrojtëse. Natyra ka ligjësinë e vet, e nëse e cenon atë ajo do të hakmerret”, tha Kuko.