Siguria në shkolla, plan masash nga Policia
Me nisjen e vitit shkollor, është parë edhe një prezencë e shtuar e punonjësve të Policisë së Shtetit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë pranë institucioneve të arsimit. Në një deklaratë për mediat pak ditë më parë, Drejtori i Rendit dhe Sigurisë në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj, bëri me dije se janë përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e Policisë me shërbim pranë shkollave, me qëllim parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente.
Plani i masave të Policisë
Nga punonjësit e policisë në bashkëpunim me drejtuesit e institucioneve arsimore dhe të pushtetit vendor janë përcaktuar masat:
-Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave
-Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve
-Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave
– Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme
– Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë
– Vlerësimin e çdo informacioni që ka të bëjë me prishjen e rendit publik, konfliktet, mosmarrëveshjet që mund të kenë nxënësit apo fenomenin e bulizmit
Nga ana tjetër, Dervishaj ka treguar edhe mekanizmin e procesit. ”Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me akt të posaçëm urdhëron të gjithë Drejtuesit e Strukurave Vendore të Policisë, Drejtorive, Komisariateve, Stacioneve deri tek Njësia më e Re, e implementuar në shërbimin policor “Zona Policore”, të studiojnë e vlerësojnë situatën kriminale dhe atë të rendit publik. Mbi këtë bazë, Policia harton plane masash me detyra konkrete për shërbimet e kontrollit të territorit, të rendit, për krimet, policinë rrugore etj”.
Duke folur për Zonat Policore, Drejtori i Rendit dhe Sigurisë në Policinë e Shtetit pohoi edhe se: ”Komisariatet dhe stacionet e policisë sipas Zonave Policore dhe për shkollat që kanë në juridiksion, në orët më të ngarkuara të lëvizjes së nxënësve dhe të personelit, do të sigurojnë prezencë policore me patrullën e përgjithshme, ndihmës specialistët e policimit në komunitet, agjentët e krimeve, si dhe shërbimet e policisë rrugore, në afërsi të institucioneve arsimore. Kjo sidomos në orarin e fillimit e mbarimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla”.
KOHA JONË SONDAZH

