Siguria rrugore, Ismaili: 542 patenta të pezulluara në tre javë
Shtimi i kontrolleve nga ana e Policisë Rrugore ka çuar në arrestimin e 176 drejtuesve të automjeteve në 20 ditët e para të janarit. Po ashtu gjatë tre javëve të para të këtij viti janë pezulluar 542 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara. Skënder Ismaili, shefi i Sektorit të Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, tha se regjistrimi i disa aksidenteve rrugore në ditët e para të vitit ka shtyrë Drejtorinë e Policisë Rrugore të ndërmarrë masa të shtuara kontrolli.
”Gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur 1493 aksidente rrugore me pasoja të rënda për jetën e njerëzve, duke nisur nga të plagosur lehtë, të rëndë dhe humbja e jetës. Fatale është humbja e 227 jetë njerëzish. Në 20 ditët e para të këtij viti, fatkeqësisht kanë humbur 9 jetë njerëzish nga aksidentet. Në këto 20 ditë të këtij viti janë konstatuar 145 drejtues mjetesh nën efektin e pijeve alkoolike, 176 janë të arrestuar për drejtim të parregullt të mjetit dhe disa prej tyre kanë qenë edhe të dehur. Së dyti, shtoi ai, edhe shpejtësia është evidentuar si një nga faktorët e aksidenteve rrugore gjatë vitit të shkuar. Këtë vit deri më datë 20 janar rreth 645 raste të ecjes me shpejtësi tej normave të lejuara, duke iu pezulluar 542 leje drejtimi, si dhe një sërë shkeljesh të tjera siç janë parakalimet e gabuara 1 847 raste dhe shumë shkelje të tjera që janë bërë dhe burime të ngjarjeve të caktuara rrugore”.