SIGURIA USHQIMORE

Brunela Beshaj

Nëse flasim për ushqimin pyetja e parë që na vjen ndërmend është padyshim: a janë të sigurta ushqimet që konsumojmë? Të flasësh rreth sigurisë ushqimore  është një  temë gjithëpërfshirëse, ku nuk duhet të anashkalohen dy nga pikat më të rëndësishme, garancia dhe cilësia e tij.

Cilësia dhe garancia janë ndër elementët më të rëndësishëm të produkteve ushqimore, qofshin ato shtazore apo bimore, çka nënkupton garancinë që këto produkte nuk janë të dëmshme për konsumatorët, si dhe higjena në të cilën këto produkte ruhen.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në produktet  bimore problematika më e madhe qëndron në helmimin kimik, i cili mund të vijë si rrjedhojë e përdorimit të pakontrolluar të pesticideve,  ndërsa tek ato me origjinë shtazore nga përdorimi i pakontrolluar i hormoneve dhe i ilaçeve të ndryshme, kryesisht me natyrë antibiotikësh. Mos të harrojmë të përmendim një kategori tjetër kontaminuesish me natyrë kimike, të cilët përdoren për transportin dhe  ruajtjen e ushqimeve të ndryshme, ndërsa  presin të vijnë në tavolinat e konsumatorëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nëse përmendet siguria ushqimore, duhet të kemi parasysh që  përfshihen: prania e mbetjeve të antiobiotikëve si pasojë e trajtimeve të ndryshme veterinare, të cilave u është nënshtruar kafsha gjatë jetës, mbetjet e ndryshme toksike, prania e pesticideve në ushqimin e konsumuar nga kafsha, prania e mikoorganizmave, konservuesit e ndryshëm që u shtohen këtyre produkteve për një jetëgjatësi më të madhe. Produktet mund të ndoten gjatë transportit, por rreziku më i lartë është  gjatë prodhimit dhe ruajtjes  së tyre.

Dëmet dhe sëmundjet që shfaqen nga kontaminimi i ushqimeve kanë një shtrirje shumë të lart. Numri i mikroorganizmave që shkaktojnë sëmundje infektive është shumë i gjerë, deri më sot njihen përafërsisht rreth  200 sëmundje të ndryshme që transmetohen përmes ushqimeve.

Ndër patogjenët më të rrezikshëm, të pranishëm në ushqime janë: Kampilobakterioza, merret kryesisht nga mishi krudo, uji i ndotur dhe qumështi i papasterizuar; Bruceloza, e cila transmetohet nga kafshët e sëmura tek njerëzit nëpërmjet bulmetit; Salmonela, nga perimet, frutat dhe bulmeti i papasterizuar; Listerioza, shkaktohet nga produktet e papasterizuara të bulmetit, peshku dhe sallami i tymosur. Disa nga agjentët me natyrë biologjike mund të shkaktojë kancer, si aflatoksinat të cilat shkaktojnë kancer të mushkërisë. Infeksionet e shkaktuara nga ushqimi i ndotur kanë ndikim më të madh në grupet e njerëzve me imunitet më të dobët dhe mund të çojnë në sëmundje serioze, deri tek rrezikimi i jetës, por kjo s’do të thotë që pjesa tjetër e popullsise nuk është e rrezikuar.

 Aspekt tjetër po aq i rëndësishëm i produkteve ushqimore është dhe cilësia e tyre.  Me cilësi nënkuptojmë vlerat ushqyese që mbartin keto produkte, ku përfshihen: Kaloritë, yndyrnat, karbohidratet, vitaminat, mineralet dhe proteinat, pa harruar të shtojmë këtu aromat dhe ngjyruesit e shtuar, të cilët jo rrallë herë konsiderohen si shkaktarë të sëmundjeve. Por a na sigurojnë organet kompetente rreth cilësisë së këtyre produkteve, rreth kontrrollit rigoroz që kryhet ndaj çdo elementi ushqimor?  Nëse do të pyesim konsumatorët shqiptar, sigurisht që shumica prej tyre do të jenë dyshues dhe mosbesues rreth faktit të kryerjes së kontrrollit, duke u shprehur se nuk janë aspak të sigurtë rreth ushqimeve që konsumojnë çdo ditë.

Mjafton të përmenden rastet ku Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk arrin të garantojë sigurinë ushqimore në vend. Mungon gjurmueshmëria për produktet bimore dhe shtazore të vendosura në treg, si dhe kryerja e analizave përkatëse.

Cilësia dhe siguria ushqimore janë ndër elementet më të rëndësishme dhe një nga kërkesat themelore të Bashkimit Evropian dhe më gjerë në vendet e zhvilluara. Nëse vërtet duam të integrohemi në Europë a nuk duhet të kemi një kontroll më të madh rreth produkteve që konsumojmë dhe organe me të vërtet kompetente për funksionin dhe detyrën që duhet të kryejnë?

A nuk duhet të bëhet diçka më shumë nga shteti, nga këto institucione për sigurinë e qytetarëve, për të shmangur sado pak pasojat e tmerrshme që kanë produktet e pakontrrolluara në shëndetin tonë? Ndoshta në një  të ardhme, le të shpresojmë  jo shumë të largët, do të shohim vërtet seriozitet nga këto institucione për të vepruar mbi kontrrollin e ushqimeve që konsumojme në përditshmëri.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?