Sigurimet rrezik për buxhetin, ish-ministri socialist sugjeron shkurtimin e shpenzimeve të zyrtarëve
Borxhet e papaguara për sigurimet shoqërore, të cilat vlerësohen në 110 milion euro, janë kthyer në një rrezik serioz për buxhetin e shtetit.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, apelon që të merren masa të menjëhershme për të shlyer këto detyrime.
Eksperti i njohur i ekonomisë sugjeron si zgjidhje shkurtimin e shpenzimeve të zyrtarëve, deri në eleminimin e borxheve.
“Sa më parë dhe detyra e parë është e opozitës brenda dhe jashtë parlamentit të nxisë një interpelancë me kryeministrin, të saktësohen shifrat, të saktësohen përgjegjësitë dhe të urdhërohet menjëherë bërja e një plani konkret si do të shlyhen këto detyrime të prapambetura. Hapi i parë duhet të jetë shkurtimi i shpenzimeve operative të të gjithë institucioneve. Mendimi im është deri në mos pjesëmarrjen e ministrave të qeverisë shqiptare në çdo aktivitet që bëhet jashtë vendit, qoftë edhe të deputetëve, kryetarëve të bashkive, qoftë edhe të punonjësve të administratës publike”, thekson Malaj.
Në lidhje me vendimin e marrë nga Ministria e Financave që asnjë pagë nuk do të kalojë pa u paguar sigurimet shoqërore, Malaj thekson se një rregull i tillë ka ekzistuar edhe më parë.
“Trajtimi i problemit sikur u zgjuam sot për ti dhënë një zgjidhje është fshehje reale e këtij problemi. Si ka mundësi që për kaq kohë dhe situata ka ardhur në përkeqësim janë lejuar të marrin punonjësit e institucioneve buxhetore të marrin pagën dhe institucionet buxhetore mos paguajnë sigurimet shoqërore. Ministrja e Financave është mirë që në auditin e brendshëm të gjejë kush janë shkelësit e ligjit numër 1 të thesarit që ka paguar pagat pa kërkuar që institucionet të paguajnë në të njëjtën ditë dhe sigurimet shoqërore”, shprehet Arben Malaj.
Rritja e detyrimeve të institucioneve shtetërore shihet si një problem serioz pasi ndikon direkt edhe në nivelin e borxhit publik, por vë në rrezik edhe pensionet për të ardhmen.