“Sikur të vinte tani Jezusi, si do t’u fliste njerëzve të shekullit XXI të cilët kanë shkuar në hënë, që eksplorojnë universin me megateleskopë….”

Nga dom Gjergj Meta
JEZUSI I SHEK. XXI … PO SIKUR?
Jezusi, na thonë ungjijtë, ka folur për barinj, dhen, peshkatarë e peshk, mbjellje, farë, fiq, zogj të qiellit e lulet të fushës, për mbretëri, mbretër etj etj.
Ndërsa sot as poetët nuk flasin më për këto gjëra. Gjërat kanë ndryshuar aq shumë.
Kështuqë sa herë në predikime shpjegoj bariun e mirë, mbjellësin, peshkatarin, monedhën e vejushës, sa herë që flas për cuba, farizenj e levitë etj etj., shikoj që gjjthnjë e më shumë kam përballë njerëz që nuk ia kanë idenë se çfarë janë fjalët bari, dele, farë e mirë e tokë pjellore.
Kjo ndodh sepse këto gjëra nuk janë më pjesë e jetës së tyre.
Shumë njerëz jetojnë nëpër qëndra urbane, qiellgërvishtëse, ecin me trena, makina e avionë, lundrojnë në internet (më shumë se në anije) e as nuk ia kanë idenë e botës së bujqësisë, peshkimit apo blegtorisë; u shkel këmba në asfalt apo mbi tapete, por asnjëherë në tokë e nuk e dinë konceptin e ferrës që i zë frymën farës që mbin.
Jetojmë në një botë ku fjala njëqindfish i referohet vetëm fitimit në para e jo farës që mbillet, mbin e rritet e ku fjala mbretëri ka një ngjyrim shpesh përkeqësues.
Kur mendoj gjithë këtë skenar pyes veten: sikur të vinte tani Jezusi, si do t’u fliste njerëzve të shekullit XXI të cilët kanë shkuar në hënë, që eksplorojnë universin me megateleskopë (i fundit nga NASA na ka dhënë imazhe të jashtëzakonshme të Universit), që me mikroskopë kanë ndarë pjesëzat më të vogla të gjithësisë, që dalëngadalë po harrojnë çfarë është monedha e flasin me transferta bankare, me credit card e bitcoin?
Ç’fjalë e ç’shëmbëlltyra do të përdorte për t’u folur njerëzve për dashurinë e pamatë të Hyjit? A do ta nxirrnin para gjyqit dhe a do t’i ndiqte të gjitha shkallët e tij deri në kushtetuese? Ç’dënim vallë do t’i jepnin e si do të ndodhte flijimi i tij për mëkatet e njerëzve?
Nëse ai do të vinte sot si do të sillej me Herodët dhe Pilatët modernë? Si do t’i drejtohej një presidenti shteti a një kryeministri? Po me mafiozët dhe dëmtuesit e pronës pubilike si do të sillej? E me religjionet dhe krerët e tyre (patjetër edhe me mua) si do të sillej?
Pyetje i kam, së pari për veten…
Ditë të bukur!
D. Gjergji

SHKARKO APP