Silva Caka: Këto janë dështimet e mëdha dhe me pasoja te Rilindjes

Deputetes së LSI-së, Silva Caka në takimin me strukturat e LSI Berat u shpreh se sot qytetarët përballen më qeverinë më të paaftë dhe më të dëmshme për interesat e vendit.

Fjala e plotë e deputetes së LSI:

Është kënaqësi të kthehesh në Berat dhe nuk do të jetë asnjëherë e tepërt që t’iu falenderojmë për gjithçka që keni bërë për LSI-në, sidomos duke përmendur zgjedhjet që lamë pas për të cilat normalisht secili prej jush këtu, por jam e sigurt që çdo qytetar i Beratit është i ndërgjegjshëm për të gjithë dhunën dhe presionin që është shkaktuar tek çdo anëtar i Lëvizjes Socialistë për Integrim. Në jetën e njeriut sigurisht ka shumë fusha të cilat përbëjnë të gjithën le të themi. Por 5 janë ato më të rëndësishme, sigurisht unë do të doja të përmendja këtu shëndetësinë, ekonominë e secilit,  sigurinë, drejtësinë dhe pa diskutim edhe edukimin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Po t’i marrim secilin me radhë, a ka shëndetësi në Shqipëri? Unë ju kujtoj që vetëm pak para pak ditësh plasi skandali i radhës i kësaj qeverie ku 99% e barnave në QSUT janë të skaduara. Pra a ka sot garanci qytetari për të shkuar në spitalet shtetërore?  Ka 0 garanci. Sepse edhe në rast se merr dy tre barna, edhe në rast se arrin t’i marrë ato barna qoftë me subvencion apo qoftë duke përdorur një njohje të mundshme, shqiptarët sot e kanë të pamundur të shërohen sepse barnat janë të skaduara. Do të doja që të shkoja tek ekonomia. A mund të flasim sot për ekonomi? Unë nuk jam ekonomiste në profesion dhe sigurisht kam vështirësi në momentin që do të doja të flisja diçka për ekonominë, por si një familjare edhe unë sigurisht dhe nëna e 2 fëmijëve të vegjël arrij të kuptoj që gjendja ekonomike e shqiptarëve është e rënduar atje ku nuk mban më.

Swiss Digital Mobile Reklama

Jo vetëm kaq, por unë ju kujtoj, se kjo është qeveria e paradokseve dhe sigurisht qeveria më cinike dhe ironike që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Kjo është qeveria që ju shpërndau falas dekodera disa familjeve që ishin në nevojë ekonomike dhe në momentin që shkoi për të bërë verifikime pikërisht për atë ndihmë ekonomike që ato familje marrin thanë që nuk po ju japim më ndihmë ekonomike sepse ju keni dekodera. Kjo është qeveria që të merr nga një xhep dhe të merr nga xhepi tjetër shumë më shumë se aq. Dhe ekonomia e shqiptarëve sot është e rrënuar dhe jo vetëm kaq. Nuk do doja që të bëhesha përsëritëse e atyre që thanë qoftë Kryetarja e LSI-së apo edhe kolegu im, por është ekonomia më e keqe që kanë parë gjithë shqiptarët në të gjithë pluralizmin politik. Dhe përpara vetëm pak ditësh ministri Ahmetaj ka thelluar borxhin publik të shqiptarëve.

Fëmijëve tanë dhe ne të gjithëve na shtohen edhe gati 500 milion euro të cilat sigurisht do të duhet që t’ia shlyejmë strukturave ku janë marrë borxh. Pra a thua se nuk ishim deri më sot të zhytur në borxhe publike por do të duhej të merrnim edhe 500 milion euro. Dhe për çfarë u morën këto 500 milion euro? U morën për të paguar koncesione, u morën për të paguar partneritete publike private, u morën për t’ia dhënë klientëve të qeverisë, që nuk janë vetëm klientë por edhe financuesit e fushatave të tyre. Shkojmë tek edukimi. A po edukohen fëmijët tanë sot? A po edukohen fëmijët e shqiptarëve sot? Unë mendoj që jo. Në vend të edukimit në shkolla e ka zënë vendin hashashi, në vend të librave kemi drogën, në vend të nxënësve kemi shpërndarës të drogërave dhe qeveria nuk bën asnjë gjë për të marrë masa dhe për të rregulluar këtë situatë në shkollat shqiptare.

Besoj të gjithë e keni parë situatën në Mengel, ku ke protestë revoltë qytetare të jashtëzakonshme të fëmijëve dhe të prindërve të tyre për t’u shkolluar dhe për të pasur të drejtën themelore. Është një e drejtë themelore dhe një e drejtë kushtetuese e njeriut për t’ u edukuar dhe për t’u arsimuar. Qeveria ja mohon këtë të drejtë. Pse? Sepse ndoshta ka dalë ndonjë i pasur i zonës apo ndonjë klient i radhës i cili do të investojë në shkollën e Mengelit dhe ka dashur dhe ka nxjerrë lloj lloj artificash që fëmijët të mos shkojnë në shkollë, por t’i detyrojë 300 fëmijë të fshatit Mengel të shkojnë dhe të shkollohen shumë më larg. Sigurisht duke i shtuar në këtë mënyrë shpenzimet familjes, duke i shtuar edhe merakun prindërve të cilët nuk do t’i kenë më fëmijët e tyre para syve por do t’i kenë shumë më larg dhe pa diskutim që do të bëhen objektiv i atyre që shpërndajnë drogë. Sepse gjërat vijnë në efekt domino pastaj. Në momentin që ti i largon fëmijët të shkollohen diku tjetër, pastaj ata nuk do të jenë më as në mbikëqyrjen e prindërve të tyre.

Nga arsimi do të doja që të shkonim tek siguria. A kanë sot siguri shqiptarët? A kemi sot një polici e cila është në shërbim të qytetarëve shqiptarë? Unë mendoj që jo. Unë mendoj që kemi një polici e cila është në shërbim të kriminelëve.  Ju e patë shumë mirë atë që ndodhi përpara pak ditësh në mes të bllokut, në zemrën e Tiranës sesi u rrethua shtëpia e një personi, sesi u rrethua edhe Spitali i Traumës, vetëm e vetëm që të ruajnë mikun e kryeministrit. Sepse personat që janë plagosur janë miqtë e kryeministrit. Ata janë pjesë të bandave të cilët kanë financuar Rilindjen, të cilët financojnë kryeministrin dhe që sot atij i kanë dalë jashtë kontrollit dhe nuk i menaxhon dot.

Dhe sigurisht janë ata që po menaxhojnë kryeministrin. Janë ata që po i vendosin gjoba bizneseve të pastra. Janë ata që po vendosin edhe çfarë politikash duhet të bëhen sot në Shqipëri. Për ata që kanë pak kulturë juridike, por jo domosdoshmërisht, të kapurit e shtetit nga mafia është pastër ligji për Teatrin. Pra ne kemi oligarkë, kemi mafiozë të cilët sjellin një ligj të posaçëm në mënyrë që një investim dhe disa para të qytetarëve shqiptarë, dhe nuk janë pak por janë shumë, t’i marrë një xhep i caktuar. Kjo është të funksionojë vetëm mafia në Shqipëri.

Nëse do të flasim përsëri për policinë, për cilën polici do të flasim? Për atë që arreston qytetarë të caktuar sepse janë simpatizantë të një force të caktuar politike? Ju besoj e keni shumë të qartë edhe rastin e fundit që ka ndodhur në Berat me ish-drejtorin e spitalit. Po të tjerë nga ana e Rilindjes të cilët abuzojnë çdo ditë e më shumë të cilët janë të faktuar në Shqipëri, pse nuk shkon t’i arrestojë policia e gjithë Shqipërisë, e Beratit dhe e gjithë qyteteve të tjera. Pse nuk shkon policia të arrestojë atë që përdhunon vajza të reja, por shkon edhe merret me atë që ka lidhur dritat aty sepse nuk ka lekë të paguajë, ia ka hequr ndihmën ekonomike, nuk ka të paguajë dhe është i detyruar të ndezë energjinë elektrike. Kjo është policia e sotme që mban me hatër një edhe largon tjetrin.

Dhe nëse shkojmë dhe të drejtësia, për Reformën në Drejtësi foli tashmë Nasipi kështu që është shumë e qartë besoj që sot nuk ka drejtësi në Shqipëri. Për këtë arsye unë do të doja që ne sot nga Berati të vendosnim se në cilën anë jemi: jemi në anën e krimit apo jemi në anën e të bërit shtet? Jemi në anën e kriminelëve apo në anën e fëmijëve tanë në mënyrë që nesër të mos na thonë e keni ju fajin për çfarë po ndodh sot me ne. Faleminderit

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?