Silva Caka: Mazhoranca po na fut në një qorrsokak

Ish deputetja e LSI-së, Silva Caka e ftuar në Fax News u ndal në çështjen e tryezës për formimin e Këshillit Politik dhe reformës zgjedhore. Caka theksoi faktin e pjesëmarrja e opozitës në tryezë është përpjekja maksimale që po bën opozita e bashkuar për të përmbushur një nga kushtet kryesore të Bundestagut gjerman, i cili e ka përcaktuar në një nga kushtet e para, që është pikërisht miratimi dhe implementimi i reformës zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Caka deklaroi se pati tendenca për ta përçarë opozitën dhe për të ftuar vetëm një palë në diskutime, por theksoi se diçka e tillë thjesht e forcoi dhe më shumë opozitën.

“Është përpjekja maksimale që bën opozita e bashkuar për të përmbushur një nga kushtet e Bundestagut gjerman. Kemi parë tendenca për të lënë opozitën jashtë edhe për ta përçarë duke ftuar vetëm një parti dhe duke lënë jashtë një tjetër, por këto janë skema që nuk funksionojnë dhe e bëjnë opozitën edhe më të fortë dhe edhe më të qëndrueshme në këtë proces. Kemi ecur në hapa shumë më të shpejtë saç ka ecur Komisioni i Reformës Zgjedhore”, tha Silva Caka.

Ajo shtoi se opozita mori vendimin për të bërë marrëveshjen pasi u ndërgjegjësua për plotësimin e një prej kushteve themelore për hapjen e negociatave.

“Nuk ishte një marrëveshje që kishte kohë që zhvillohej, por ishte një moment që u reflektua dhe u kërkua të bëhej kjo gjë për t’i paraprirë fazës së çeljes së negociatave. Është detyrim i të gjithëve. Le të themi që është një ndërgjegjësim në masë nga ana e opozitës së bashkuar që për këtë çështje duhet të uleshim dhe të flisnim”, u shpreh ish-deputetja e LSI.

E pyetur për fjalët se Edi Rama dhe Lulzim Basha po nënshkruajnë marrëveshjen e radhës pas 17 majit, ajo i quajti këto deklarata shashka për të hequr vëmendjen nga problemet e vërteta.

“Kjo lloj retorike nuk i shërben askujt. Opozita nuk është në Parlament sepse ai Parlament për ne nuk është legjitim. Kujtoj edhe veprimin e fundit që kanë kryer që votimi i ILD edhe pse shkelet një nga kushtet themelore ai i mosmbajtjes së një posti si funksionar politik. Kjo është të dalësh nga rruga e institucioneve dhe nga rruga që të dikton Kushtetuta.

Se kush është jashtë rrugës kam përshtypjen nuk është opozita, por mazhoranca që po na fut në një qorrsokak. Është krijuar një rreth vicioz dhe nepotizmi me njerëzit më të lartë të dretësisë dhe efektet po ndihen. Kemi vrasje mafioze dhe lirime të anëtarëve të bandave më të rrezikshme që po dalin si kërpudhat pas shiut. Gjithë kjo kapje e sistemit të drejtësisë po bëhet për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht.

Nuk dua që t’i kthehemi bisedave për marrëveshjen e 2017, ne e kemi treguar tashmë që nuk ka më vend që të diskutohen këto çështje për aq kohë sa gjithçka po bëhet transparente. Këto janë shashka që hidhen nga njerëz për të manipuluar njerëzit dhe për të zhvendosur vëmendjen nga gjëja thelbësore”, tha Silva Caka.

Pjesë nga intervista:

Tryeza për formimin e Këshillit Politik, sa i përket punës për reformën zgjedhore, ju personalisht si e shihni këtë zhvillim?

Është një zhvillim, i cili në një farë mënyre kapi të papërgatitur shumë njerëz që janë të interesuar praktikisht për zhvillimet e fundit të reformës zgjedhore. Por për mua personalisht është një gjë që duhet vlerësuar në një sens. Është përpjekja maksimale që po bën opozita e bashkuar për të përmbushur një nga kushtet kryesore të Bundestagut gjerman, i cili e ka përcaktuar në një nga kushtet e para, që është pikërisht miratimi dhe implementimi i reformës zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne kemi parë herë pas here tendenca dhe nga ana e mazhorancës për ta lënë opozitën jashtë njëkohësisht dhe për ta përçarë duke ftuar vetëm një parti dhe duke lënë jashtë partitë e tjera etj. dhe këto sigurisht janë skema që nuk funksionojnë. Dhe duke mos funksionuar më e bëjnë opozitën më të fortë dhe më të qëndrueshme në këtë proces. Dhe sigurisht përgjegjësia jonë ka qenë e qartë që në momentin që u ngrit grupi i punës pranë opozitës së bashkuar, që punoi në mënyrë paralele për një draft të reformës zgjedhore. Mund të them me bindje të plotë që kemi ecur në hapa shumë më të shpejta se çfarë ka ecur realisht Komisioni ad-hoc i reformës zgjedhorë në Kuvendin e Shqipërisë. Pasi kemi gati një produkt i cili tashmë do të ngelet edhe për shkak të këtij zhvillimi që është Këshilli Politik. Do të ngelet që të konsultohet dhe në fund të miratohet pa ndryshime ashtu siç është dhe një nga kushtet e marrëveshjes që u bë në tryezën e Këshillit Politik.

Prej sa kohësh zhvillohej kjo marrëveshje për t’u ulur në atë tryezë?

Realisht nuk ishte një marrëveshje që kishte kohë që zhvillohej. Ishte një moment në të cilin u reflektua dhe u kërkua që të bëhej kjo gjë për arsye pikërisht për t’i paraprirë fazës tjetër ose më saktë fazës që vjen për çeljen e negociatave me BE. Është detyrim i të gjitha palëve por ne si opozitë e bashkuar ndoshta e kemi ndjerë më shumë pikërisht për këtë arsye kërkuam edhe që të zhvillohej edhe ky takim dhe të krijohej këshilli politik.

SHKARKO APP