Sinanaj: Ja si e vrava Veizin. Porositësit më thanë: ‘Nëse do jetë me djalin, vriti të dy’

 Këto toka ishin në zonën e Orikumit. E. më tregoi se te tokat e Orikumit kishte probleme me shtetasin Sokol Veizi, pasi nga ana e këtij të fundit ishte zënë një sipërfaqe toke dhe ishte ndërtuar një shtëpi në atë tokë. Me këtë person E. kishte shumë probleme dhe më shprehu kërkesën e tij se dëshironte që atë ta vriste. Ai më tregoi se me Sokolin kishte vite që kishte konflikt për këtë sipërfaqe toke me fisin M., ku konfliktin e fundit e kishte pasur 2-3 muaj përpara se të vritej. E. më tregoi se nga ana e Sokol Veizajt ishte rrahur një kushëri i tij, me mbiemrin M., ku Sokoli e kishte rrahur e sharë atë. Për këtë person E. më kërkoi që una të vrisja, ku si shpërblim ai më ofronte një sipërfaqe 1500 metra katrorë toke me vlerë 80 euro metri dhe e gjithë vlera e sipërfaqes shkonte 120.000 euro. Për këtë problem E. më la tri ditë kohë që unë të mendohesha. Pas tri ditësh, E. ka ardhur te puna e dajos tim, së bashku me N. Gj.. N. e kisha takuar edhe një herë tjetër më parë në një kafe, pasi ai njihej me një kushëririn tim të tretë që jeton në Greqi. Kushëriri im i tretë së bashku me vëllain e tij dhe nënën kishin ardhur nga Greqia në Vlorë, sepse kishin blerë një tokë në fshatin Babicë dhe po e rrethonin. Gjatë kësaj kohe ata kishin marrë N. si punëtor për të rrethuar këtë sipërfaqe toke. Kjo ishte dhe arsyeja, që unë kisha njohur N. Gj. me kushërinjtë e mi në një kafe.

Kur erdhi E. me N., tek puna e dajos ishte pikërisht dhe takimi i dytë që unë bëja më N.. Nga ana e N. iu konfirmua me kokë E. në lidhje me personin tim. Më vonë mësova se ata nga N. kërkonin që ai të më shikonte dhe t’iu jepet një konfirmim që unë nuk isha polic, pasi N. ishte dhe i besuari i E. Pasi u takuam unë me E. shkuam tek kafja “M…” dhe aty unë i qartësova E. vendimin tim për të cilin ai më kishte lënë tri ditë kohë, ku i tregova se telefonin unë e kisha gati për ngjarjen. Dua të sqaroj se E. kërkonte që vrasjen e Sokolit ta bënte me eksploziv, sepse ishte person i rrezikshëm dhe se në vitin 1997, ai kishte vrarë 4-5 persona dhe që nga ajo kohë qëndronte gjithmonë i armatosur.

Mënyra e vendosjes së eksplozivit me telekomandë në makinën ishte e vështirë, pasi Veizi ruhej gjithmonë dhe kështu që u vendos që të vendosej një motor afër derës dhe makinës dhe kur ai të shkonte tek makina të realizohej shpërthimi i bombës në distancë. Këtë plan e kishim menduar që të dy fillimisht, unë dhe E., por më vonë kjo mënyrë u refuzua nga E., sepse kërkonte siguri të plotë në realizimin e vrasjes së Sokolit.

ARSYET E VRASJES

Kështu që u ra dakord që ekzekutimi të bëhej me armë zjarri, pasi dhe unë e kisha të vështirë mënyrën e parë, sepse kisha frikë për jehonën që do të bënte ngjarja me eksploziv. Mbas një jave E. gjeti motorin me anë të N. ku ky i fundit e kishte siguruar atë duke e blerë tek një hajdut motorësh, emrin e të cilit nuk e mësova. Në biseda e sipër me ta, E. më tha se kishte folur dhe me kushëririn e tij, G. M., dhe që të dy kishin biseduar që nga ana ime të kryhej kjo vrasje dhe pagesa të bëhej prej të dyve.

Dua të sqaroj se G. M., kërkonte vrasjen e Sokol Veizi, pasi ky i fundit e kishte inat G. për problemet e tokës si dhe për faktin se në vitin 1997, ai kishte degjeneruar G. M.n, pasi ky i fundit ishte kundërshtar i tij në bandat e vitit 1997. Unë duke parë se të interesuar për vrasjen e Sokolit ishin disa nga kushërinjtë M., desha të tërhiqesha, se nuk ndjeja siguri për jetën, por duke parë gjendjen e keqe financiare, si dhe për faktin që isha pa shtëpi, mendova të pranoja kërkesat e tyre për të kryer vrasjen.

Puna filloj me sigurimin e motorit, të cilin pasi e blenë, filluan ta lyenin me bojë të errët, lyerje e cila u bë te shtëpia e E., nga pjesa e pasme e saj. E. më kërkoi se nëse unë gjatë vrasjes do të ndeshesha me Sokolin dhe djalin e tij, atëherë ai më kërkoi që unë duhet t’i vrisja të dy ata, atë e bir. Për këtë kërkesën unë i thashë se nuk mund ta bëja një veprim të tillë, sepse nuk mund të qëlloja mbi fëmija e gra në asnjë lloj mënyre. E. më tregoj se djali i Sokolit ishte një rrugaç, mbi 18 vjeç, po kur pa që kjo ndikoi për keq tek unë, ndaloi bisedën. Kur unë me E. mbërritëm te shtëpia e tij, pasi ishim duke ecur me makinën e tij, nga lokali për në drejtim të shtëpisë së tij, E. duke parë dobësinë rime, shkoj dhe nxori djalin e tij të sapolindur dhe më shprehu se ishte familja e rregullt, për këtë gjë ai kërkonte të bëhej, sepse i kishin rënë në qafë.

Unë u habita me veprimet e tij, por nuk e dhashë veten, por u shkëputa deri te dyqani ku atje bleva një tortë akullore për lindjen e djalit dhe ia çova në shtëpi.

Pas këtij momenti unë vendos të mos ktheja mbrapa veprimet e mija, pasi personi ishte i paskrupullt dhe mund të më eliminonte në çdo moment. Pasi përgatitën lyerjen e motorit, unë bashkë me E. dhe N. kemi shkuar në Radhimë, ku atje pranë një kompleksi kemi marrë me qira një dhomë (kabinë plazhi). Kjo kabinë ndodhej diku 10 km larg Orikumit dhe i zoti i kabinave ishte një person qeros, i moshë rreth 40 vjeç, ku koha e prenotimit të kabinës duhet të ishte për dy javë, ku lekët e tyre i pagoi E.. Emri i personit që jepte kabinën nuk kam dijeni si quhet, por do t’ju ccojë te vendi. Gjatë këtyre dy ditëve E. me ka çuar në Orikum që unë të shikoja dhe të njihja fizikisht Sokol Veizin. Në Orikum kam shkuar me E. me makinën e një shoku të tij. Gjatë momentit ne u afruam tek një lokal në Orikum. E. më tregoj nga larg se personi që unë do të vrisja ishte Sokoli, i cili ishte duke luajtur letra me tre persona të tjerë në pjesën e verandës së lokalit. Gjatë kësaj kohe unë jam interesuar dhe për konflikte e vjetra që kishte Sokoli, ku E. me tregoj se Sokoli kishte konflikt edhe me një person tjetër në Orikum.

NATA E VRASJES

Pas kësaj njohjeje, unë kam shkuar natën e vrasjes fillimisht vetëm me motor, pa armatim me vete, për të parë se ku ndodhej Sokoli, si dhe për të parë se mos kishte forca policie në rrugë. Kam kërkuar për afro një orë e gjysmë dhe nuk kam mundur që ta gjeja atë. Më pas jam kthyer te dhoma, ku atje më priste E. me N., të cilëve u tregova se nuk e kisha gjetur Sokolin. Më pas E. më mori në makinën e tij dhe që të dy u nisëm përsëri në Orikum, sepse ai e dinte vendin në përgjithësi ku qëndronte Sokol Veizi. Në momentin që po e kërkoja me E. pashë se Sokoli ishte te vendi ku unë kreva dhe vrasjen. Jam kthyer së bashku me E. te kabina, ku atje kam marrë armatimin dhe motorin. Si armë kujtoj se kam pasur një pistoletë ‘TT’ dhe një pistoletë ‘Makarov’ si dhe një granatë dore.

Pasi mora armatimin, udhëtova me motor në drejtim të Orikumit, te vendi ku ndodhej Veizi, ndërsa E. dhe N. u kthyen në drejtim të Vlorës, ku më parë e kishim bërë në plan, që ata duhet të shkonin përpara një vendi publik, ku atje të ishin të dukshëm, për të krijuar alibi gjatë ndodhisë së ngjarjes. Gjithashtu, kishim lënë një sinjal, që ata kur të mbërrinin në një vend publik dhe të më bënin dy zile në celularin tim që unë të kuptoja se ata ndodheshin në vend publik dhe unë duhet të kryeja vrasjen. Në momentin që unë jam afruar pranë vendit të ngjarjes, kam parkuar motorin në largësi dhe kam qëndruar te moli përballë në pritje të zileve të telefonit. Dua të sqaroj se përpara vrasjes nga ana e E. ishin blerë dy numra karte telefoni të paregjistruara në emrin tonë, si dhe dy aparate që do të përdoreshin kartat.

Nëpërmjet tyre do të komunikoja vetëm për ngjarjen unë me E., ku më pas ato do t’i flaknim. Me të ardhur dy zilet nga ana e E., kuptova se ishte koha që unë duhet të veproja. Jam afruar në këmbë nga moli për në drejtim të tyre, ku në kokë mbaja të vendosur një kapele të rrumbullakët (ngjyra nuk më kujtohet) mbaja veshur një xhiboks sportiv me ngjyrë të zezë, në shpinë kisha një çantë sportive, brenda së cilës ndodheshin pistoleta ‘Makarov’ me silenciator, në çantën e brezit kisha vendosur një pistoletë ‘TT’ dhe një granatë dore. Në duar kisha të vendosura një palë dorashka dhe në fytyrë kishte ngritur një bluzë si tip golfi. Jam afruar tek pjesa anësore e tyre sepse kisha frikë se mos më dallonin gjatë afrimit tek ata. Në momentin që kalova pranë buzës së detit, pashë se rruga për të shkuar tek ata ishte me zhavorr, gjë për të cilën kisha frikë se po të kaloja, në atë drejtim do të ngjallja dyshime tek ata gjatë momentit të afrimit dhe kisha frikë se mos ishin dhe të armatosur. Për këtë problem, mendova të vazhdoja rrugën buzë detit, dhe pasi të përshkoja një pjesë rruge, t’u dilja nga ana anësore e vendit ku ata ndodheshin.

Ashtu bëra, përshkova një copë rrugë dhe iu dola anash, ku pashë se të veranda e lokalit, në pjesën e jashtme të saj, ishte duke darkuar e pirë raki, Sokoli së bashku me dy persona të tjerë.

MOMENTI I VRASJES

Në momentin që jam afruar tek ata, nëpërmjet pistoletës ‘Marakov’, që kisha në çantë kam qëlluar në drejtim të këmbës së djathtë të Sokolit, në mënyrë që ai të mos reagonte dhe largohej prej andej. Me pistoletë kam qëlluar nga brenda çantës, pa e nxjerrë. Ju afrova dhe i kam kontrolluar se mos kishte armatim ndonjëri prej tyre. Dua të sqaroj se në momentin që unë qëllova me pistoletë në drejtim të kofshës së Sokolit më është bllokuar pistoleta ‘Makarov’ ku ndërkohë pa rënë në sy të tyre zhbllokova armën duke tërhequr pjesën e lëvizshme mbrapa. Iu afrova personave, i kontrollova dhe iu kërkova që ata të futeshin në ambientet e brendshme të lokalit. Në momentin që kam hyrë brenda në lokal, kam qëlluar me pistoletë në drejtim të derës së banjës, pasi mendova se mund të kishte ndonjë person brenda saj.

Më pas kam urdhëruar që të uleshin në shesh, duke i kërkuar të më tregonin se kush ishte Veizi. Fillimisht konstatova se asnjëri prej tyre nuk po më tregonte, edhe pse unë e dija se kush ishte ai dhe konstatova se Sokoli pohoi vetë me gojë se ishte ai Sokoli, veprim të cilin pashë se e bëri duke qenë i ndikuar prej gjendjes stresante. Këtë gjë unë e bëra për të treguar se unë nuk kisha dijeni se kush ishte Sokoli. Më pas jam munduar t’i qetësoj duke iu treguar se kisha gabuar dhe se kërkoja person tjetër. Gjatë kësaj kohe mora Sokolin dhe i kërkova që ai të dilte në pjesën e jashtme të parkimit, afër makinës së tij.

Dua të sqaroj se unë kisha mësuar për makinën e tij nga E., se kush ishte ajo, si edhe doja se atë kërkonte ta blinte mekanikun, të cilin unë e kisha parë një rast brenda kësaj makine duke parë letrat e saj. Në momentin që e afroja pranë makinës së tij, e kam pyetur se ç’problem kishte me E. dhe G. M.. Më tregoi se me E. nuk kishte probleme, ndërsa për G. më tha se ai k…ka lozur në të gjitha krahët, e kishte fjalën për grupet që ekzistonin në vitin 1997.

E kam çuar te makina, e ula në pozicionin në bisht, ku jam ulur edhe vetë që të mos dukesha nga personat që ishin në distancë dhe makinat që kalonin. Kam për të sqaruar se në momentin e dytë kur unë qëllova tek dera e banjos, m‘u bllokua përsëri pistoleta, ku në ato momente unë nxora pistoletën tjetër ‘TT’ dhe duke mbajtur situatën nën kontroll kam shkuar me Sokolin te makina. Atje kam hapur kroskotin për të parë dokumentet, duke i dhënë përshtypjen Veizit se nuk e njihja akoma dhe ndërkohë unë e mbaja nën kontroll atë dhe personat që ndodheshin brenda në lokal, të cilët ndiqnin veprimet e mua, ku i krijoja përshtypjen se unë nuk e njihja Veizin. Dola nga makina dhe u ula edhe unë në bisht, duke zhbllokuar pistoletën ‘Makarov’ që ndodhej brenda çantës sportive. Gjatë këtyre momenteve filloja t’i tregoja Veizit se isha gabuar me atë dhe për këtë do t’i jepja 5000 euro. Në këto momente pasi zhbllokova pistoletën ‘Makarov’, u ngrita dhe bëra sikur ika, duke e qëlluar me dorën e majtë që kisha në çantë që ai të mos kuptonte veprimet e mia, pasi në dorën tjetër kisha pistoletën ‘TT’.

Pasi qëllova Sokolin një herë në pjesën e kokës, u largova me hap të shpejtë për në drejtim të motorit. Gjatë këtyre momenteve që unë u afrova tek motori, kam parë se aty pranë kaloi një makinë fuoristradë, e cila uli shpejtësinë dhe unë duke dashur të mos qëlloja mbi ta, iu tregova në dukje se isha duke bërë vrap, stërvitje, ku dhe makina së bashku me dy personat që ndodheshin brenda saj, u larguan në drejtim të një dasme apo darke që bëhej diku rreth 100-150 metra larg lokalit ku unë bëra vrasjen. Me të marrë motorin u nisa për te dhoma në Radhimë, ku në momentin që dola nga Orikumi, pashë se në drejtimin tim përballë po vinin disa makina policie. Më pas kam vazhduar rrugën, ku në momentin që jam afruar buzë detit kam flakur pistoletën ‘Makarov’, e cila pashë se ra diku buzë detit në ujë. Kam vazhduar rrugën për në drejtim të vendit ku unë do fshihja motorin, vend të cilin e kisha planifikuar më parë. Pasi fsheha motorin, hoqa bluzën e sipërme, pantallonat, dorashkat dhe u futa në çantë ato dhe kam vazhduar rrugën buzë detit për në drejtim të dhomës. Pasi përshkova një copë rruge, kam hedhur në ujë çantën sportive me rrobat dhe celularin, ku përpara se të flakja ato, kam bërë dy zile te telefoni i E. për t’i treguar se kisha kryer vrasjen. Ndërsa, vetë me pistoletën ‘TT’ dhe granatën e vendosur brenda në çantën brez kam vazhduar rrugën dhe kam mbërritur te dhoma e kabinës. Po atë natë, mbas një ose dy orësh aty ka ardhur E. dhe i ka rënë derës.

Unë pasi hapa derën dhe pashë E., i dhashë dorën dhe i bërë një si përqafim, duke e kontrolluar për të parë nëse ai kishte armë me vete. Dua të theksoj se E. më pyeti se ku e ke lënë motorin, pasi ai më la të kuptoja se kishte qenë te motori dhe nuk e kishte parë atë. Dua të sqaroj se përpara vrasjes unë dhe E. kishim përcaktuar vendin se ku do të linim motorin, vend të cilin unë e ndryshova, pa i treguar E.. Përpara se të dilja nga dhoma, unë e pyeta E. nëse duhet ta merrja pistoletën, ku ai më tha që çfarë e do atë. Megjithatë, unë e mora pistoletën pasi nuk kisha besim tek ai. Te vendndodhja e motorit u nisëm me makinë të tre, ku pasi u afruam, ndaluam dhe iu tregova vendin ku e kisha fshehur. N. së bashku me mua u afrua te motori, ku unë i tregova motorin dhe u largova në drejtim të makinës ku ishte E.. Kam hipur në makinë dhe i kam kërkuar që të shkonim e të uleshim diku me njerëz, që të mos isha i vetëm derisa të vinte N.. Kemi ndaluar pranë një kafeneje, tip kioske buzë detit afër vendit të kabinës, që kishim me qira dhe aty kemi porositur ushqim duke pritur ardhjen e N.. Pasi erdhi N. pashë se E. po i bënte shenja N. dhe aty kuptova se ata kërkonin të më eliminonin fizikisht. Iu kërkova të largoheshim prej aty dhe të shkonim te dhoma, por ata vendosën të iknin në drejtim të Vlorës. E kam pyetur E. se ku e kishte lënë K., ku më tregoi se atë e kishte lënë me njerëz. Më pas ata kanë ikur në drejtim të Vlorës, ndërsa unë kam shkuar te dhoma ime.

Në mëngjes jam çuar rreth orës 08.00 ku me një furgon të linjës kam udhëtuar në drejtim Vlorës. Vajta në shtëpinë time, lashë pistoletën ‘TT’ dhe granatën. Më pas shkova te puna e dajos, e përshëndeta që të mos lija dyshim as në lagje, pasi ishin mësuar të më shihnin aty. Pas tri ditësh, kur jam takuar më pas me E. prej tij mësova se ai kishte shkuar përsëri tek vendi i motorit, ku e kishte marrë dhe e kishte fshehur në një gurore. Motorin që ndodhej i fshehur ai e kishte marrë me ndihmën e N.. Pasi jam takuar me ta, kemi shkuar buzë detit, ku E. më ka dhënë një telefon celular tjetër, që unë të komunikoja me të. Në këtë takim unë i kërkova që ai të takohej përsëri me mua, për problemin e tokës pas disa muajsh. I kërkova të më jepte tokën e premtuar, të rrethuar dhe me letra të rregullta. E. ra dakord, se nuk kishte se çfarë të thoshte. Pas disa javësh, E. erdhi e më takoi duke më thënë justifikime të ndryshme. Unë nuk dilja në darkë, pasi kisha frikë, sepse nuk më ishte bërë pagesa dhe se kjo ishte arsyeja më e madhe për të më vrarë ai.

Marrë nga “Gazeta Shqiptare”

SHKARKO APP