Sindikata e mësuesve dhe pedagogëve: Rama na gënjeu për rritjen e pagës

Sindikatat e mësuesve e ka quajtur mos mbajtje fjale dhe premtimi rritjen e pagës së arsimtarëve me vetëm 15%, duke kujtuar se premtimi i bërë nga qeveria Rama dhe vetë ky personalisht në vitin 2017 ishte 40%.

Ka pasur debat gjatë seancës dëgjimore për projektbuxhetin e vitit 2021, në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Përfaqësuesit e sindikatës kanë thënë gjithashtu, se edhe buxheti i akorduar për arsimin është larg nivelit të kërkuar prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Edhe Sindikata e Punonjësve të Universitetit e konsideroi absurd faktin që projektbuxheti i vitit 2021 nuk parashikon asnjë rritje page për pedagogët, ndërkohë që Pakti për Universitetin nuk adreson asnjë nevojë të stafit akademik.

Ndërkaq, për të disatin vit me radhë sindikatat kërkuan zgjidhjen e problemit të transportit të mësuesve dhe nxënësve, pasi sipas tyre pagesa e ulët e akorduar bën që ofruesit e transportit të mos lidhin kontrata, teksa mësuesit detyrohen të udhëtojnë me mjete jashtë kushteve teknike. Relatorja Lindita Nikolla, ish ministre Arsimi, nuk mbajti asnjë qëndrim për rritjen e pagave të mësuesve, por për çështjen e transportit kërkoi zgjidhje.

Paralelisht, duke marrë në konsideratë dhe vështirësitë e krijuara nga COVID-19, sindikatat kërkuan edhe dhënien e shpërblimit prej 10 mijë lekësh, të fundit të vitit kalendarik për mësuesit, teksa kosto në buxhet do të shkonte në rreth 3 mln euro.

SHKARKO APP