Sistemi TIMS, IDM: Kuvendi të marrë masa për forcimin ndaj institucioneve
Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka një vjedhje të të dhënave të sistemit TIMS, mirëpo në këtë ngjarje ai sheh të pavend reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kërkonin një hetim të shpejtë për rastin.
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ka dhënë një qëndrim lidhur me problemet e raportuar dhe ndërhyrjet në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Në reagimin zyrtar, IDM shpreh shqetësimin lidhur me ndërhyrjen e raportuar së fundmi.
“Theksojmë se kjo nuk është e para thyerje e sigurisë së të dhënave personale dhe sensitive të shtetasve në Shqipëri, ku edhe më herët IDM i është bashkuar shqetësimit të organizatave ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ndërhyrjen e raportuar së fundi në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Theksojmë se kjo nuk është e para thyerje e sigurisë së të dhënave personale dhe sensitive të shtetasve në Shqipëri, ku edhe më herët IDM i është bashkuar shqetësimit të organizatave ndërkombëtare.
Ne inkurajojmë zhvillimin e hetimeve të plota dhe të gjithanshme nga institucionet përkatëse. Njëkohësisht, IDM i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj institucioneve të sigurisë dhe inkurajojmë veprime konkrete për shqyrtimin e plotë të përgjegjësive institucionale lidhur me shkeljet e përsëritura dhe parandalimin e tyre në të ardhmen.
Mirëqeverisja e sistemit dhe institucioneve të sigurisë nëpërmjet zbatimit të plotë të parimeve të qeverisjes së mirë në sektorin e sigurisë, mbikqyrjes parlamentare, sistemit të balancave dhe kontrollit (checks and balance) dhe mundësimit të një roli më proaktiv të aktorëve të shoqërisë civile, rretheve akademike, medias etj. përbën domosdoshmëri për forcimin e performancës së tyre, rritjen e besimit publik tek institucionet dhe përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.