Sistemi TIMS, Salianji: U manipulua, SPAK-u të hetojë. 8 persona për 20 orë morën të dhënat në 3 USB
Kryetari i Komisionit hetimor Parlamentar për sistemin “TIMS”, deputeti i PD-së Ervin Salianji, thotë se ka pasur ndërhyrje kriminale në këtë sistem të Policisë së Shtetit. Sipas tij, 8 persona kanë marrë në 3 USB të gjitha të dhënat dhe sot ato mund të shiten edhe online, kundrejt pagesës.
”Është arritur të vërtetohet dhe të faktohet që ka manipulim të sistemit TIMS. 8 persona të paautorizuar për 20 orë me rradhë të pashqetësuar dhe askush nuk ka vajtura as t’i arrestojë dhe as t’i ndalojë. 3 apo 4 USB janë marrë që të gjithë të dhënat. Të dhënat e sistemit “TIMS” blihen dhe shiten lehtësisht”,-tha në ”Tv Klan”.
Por kush mund të jenë personat që janë të interesuar për këto të dhëna dhe përse mund t’i përdorin? ”Të dhënat e sistemit “TIMS” janë përdorur nga grupet kriminale për të eliminuar njëri-tjetrin, gjurmuar, favorizuar, shantazhuar njëri-tjetrin. Kjo i shërben grupeve të krimit të organizuar, i shërben edhe politikanëve të korruptuar për të shmangur apo për të fshirë gjurmë të kalimeve në pikëkalimet kufitare”,-shton deputeti i PD-së.
Salianji duke ruajtur sekretin hetimor nuk dha shumë të dhëna nga dëshmitë me dyer të mbyllura, por ilustroi me një shembull se si funksionon manipulimi. ”Nëse një kriminel që kërkohet, një person që është me urdhër-kërkimi ndërkombëtar apo shqiptar nuk ka rëndësi, pavarësisht se e fut pasaportën dhe sistemi duhet të alertojë që policia ta arrestojë për shkak të manipulimit të sistemit për këta persona nuk regjistron fare sistemi. Është njësoj sikur të mos kesh depozituar fare pasaportë”.
Dy raportet të cilat do të votohen në Kuvend, me pas do t’i shkojnë Prokurorisë së Posaçme për të zgjeruar hetimin dhe nxjerrjen e përgjegjësive personale dhe institucionale.