Situata e Covid-19, Spahia: Mbetet shqetësim numri i ulët i vaksinimeve
Kandidati për deputet i PD-së në Shkodër, Bardh Spahia, ka folur për situatën nga Covid-19, ku thotë se vijon të mbetet shqetësim numri i ulët i vaksinimeve, në të gjitha shtresat e popullatës.
“Qeveria dhe strukturat përgjegjëse kanë detyrimin ligjor dhe moral që të garantojnë numrin e mjaftueshëm të vaksinave, që sa më shpejt të jetë e mundur të vaksinohen grupet më të rrezikuara. Po shihet paaftësia totale për ta bërë këtë gjë”, u shpreh Spahia.
Nga ana tjetër, kur u pyet nëse janë kërcënuar mësuesit me vendin e punës nëse nuk vaksinohen, Spahia u shpreh se mësuesit janë kërcënuar.
”Ne i kemi të dokumentuara kërcënimet me mesazhet e përcjella nga arsimtarët në Shkodër. Kërcënime të tilla të kujtojnë kohën e komunizmit. Bërja ose jo e vaksinës duhet të jetë një proces me konsensus të plotë, aq më shumë kur një numër i madh i shteteve perëndimore e kanë frenuar procesin e vaksinimit për qytetarët e vet”.