Situata e fundit në mbarë Shqipërinë, përmbytje dhe probleme me energjinë elektrike
Që prej mbrëmjes së djeshme, Shqipëria është e përfshirë nga reshje të dendura shiut, të shoqëruara me erë të fortë që kanë shkaktuar problematika të shumë në shumë zona të vendit.
Dhjetëra fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në bashkinë e Gjirokastrës, për shkak të motit të keq. Banorët e fshatrave Cepo, Odrie, Lazarat, Picar dhe Lunxhëri ndeshen me mungesën e energjisë që prej mesnatës. Liqeni i Viroit në hyrje të qytetit është pranë pikës kritike dhe mund të vërshojë në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë.
Në Durrës rrugët janë përmbytur. Edhe në Tiranë janë përmbytur për disa orë rrugët, kjo për shkak dhe të bllokimit të kanaleve kulluese. Prej mbrëmjes së djeshme Kapiteneritë në Vlorë dhe Durrës kanë urdhëruar pezullimin e lundrimit të mjeteve lundruese të vogla deri në përmirësimin e kushteve të motit. Vonesa kanë pasur dhe linjat e trageteve.
Reshjet e dendura kanë vënë në gatishmëri dhe autoritetet lokale në Shkodër dhe Lezhë. Shumë zona të thella në këto bashki kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë që ka prezencë të shtuar uji në rrugët e Bërdicës, Zues dhe Dajç, ku dhe kalimi i mjeteve bëhet me vështirësi.
Autoritetet po monitorojnë me kujdes situatën e lumenjve një pjesë e të cilëve kanë prurje të shtuara dhe mund të vërshojnë përtej barrierave të tyre.