Situata kritike nga Covid-19, nesër mblidhet Komiteti/Tomini: Karantina është guri i fundit
Mbi 1 mijë persona konfirmohen të infektuar në ditë nga Covid-19, me dhjetëra të prekur të tjerë që nuk hyjnë në sistemin publik, po rriten vdekjet, ndërsa kapacitetet e 6 spitaleve Covid po shkojnë drejt ezaurimit. Kjo situatë e rëndë ka trembur qytetarët.
”Kemi një transmetim komunitar. Një transmetim me incidencë të lartë të rasteve të konfirmuara, reflektuar jo vetëm me pozitivitetin, por dhe rastet që kanë kërkuar shtrim spitalor”, shprehet Eugena Tomini.
Karantina e plotë do të jetë guri i fundit i qeverisë, e cila si duket nuk ka në plan ta zbatojë para zgjedhjeve. Ndaj Tomini uljen e rasteve e kërkon përmes ndërgjegjësimit të popullatës. ”Karantina do jetë guri i fundit përkundrejt shtrëngimit të masave. Duhet të jemi të përgjegjshëm për zbatimin e masave”, shton Tomini.
Në 25 shkurt, përfundon afati i masave të vendosura nga komiteti. Nesër pritet mbledhja dhe vendimet e radhës. Burime nga komiteti bëjnë të ditur se nuk priten masa shtesë dhe as ashpërsimi i mëtejshëm i kufizimeve.