Situata me Covid-19, tani kemi ne nevojë për Italinë. 6 ekspertë mbërrijnë në Shqipëri
Tani keni ne nevojë për Italinë. Pas ndihmës që Shqipëria i ofroi shtetit fqinj me dy grupe mjekësh dhe infermierësh, gjatë momentit më të vështirë të pandemisë së Covid-19, duket se ka ardhur koha që vendi fqinj të “na kthejë nderin” me rritjen e shifrave të të infektuarve gjatë javëve të fundit.
Një ekip i Task Forcës së Emergjencave Civile Italiane, i përbërë nga 6 ekspertë, do të vijë sot në Tiranë për të zhvilluar një veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid-19.
Ekipi i ekspertëve italianë do të qëndrojë për 14 ditë në Shqipëri dhe bashkë me të do të vijë edhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale të llojit II, dhuratë e strukturës së Komisarit të Jashtëzakonshëm Arcuri.