Situata në Laç/Xhafaj: 54 pallate të dëmtuara, 969 shtëpi të pabanueshme

Qarku i Lezhës, është prekur rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. I deleguari nga Komiteti Ndërministror për Emergjencat Civile në qarkun e Lezhës, Etjen Xhafaj thotë se janë 54 pallate që paraqesin ose dëmtime të rënda strukturore, ose do të duhet të shemben eventualisht sepse janë të pabanueshme nga banorët. ”Kemi gjithashtu dëme të shtrira sa i përket pjesës së shtëpive. Deri tani janë vlerësuar 969 shtëpi, të cilat janë të pabanueshme aktualisht. Banorët në pjesën më të madhe janë pajisur me çadra. Ka një numër shumë të lartë apartamentesh, ku megjithëse nuk ka pasur dëme strukturore, ka pasur dëmtime në pjesën e brendshme tek muret apo problematika të tjera të këtij lloji të cilat jemi duke i adresuar aktualisht”,-tha për ATSH-në. Nga ana tjetër, ai tha se janë 18 grupe vlerësimi në terren nga të cilat janë 9 në bashkinë Lezhë, 8 në Kurbin dhe 1 në Mirditë, të cilat janë duke vlerësuar edhe gjendjen e shtëpive në mënyrë që të kemi një bilanc të plotë.

Sa u përket akomodimit të përkohshëm të qytetarëve, Xhafaj nënvizoi se: ”Deri në këto momente kemi shpërndarë 255 çadra në të gjithë qarkun në të cilat ndodhen 1015 persona. Kemi 1169 persona të cilët janë strehuar në tre hotele, Ermiri, Rafaelo dhe Frojdi në Shëngjin. Kemi 39 persona të cilët janë në palestër në Lezhë dhe për të cilët po mundësohet një sistemim nëpërmjet bonusit të qirave për t’i lëvizur në apartamente të tjera. Kemi edhe në Mirditë 33 persona, të cilët duke qenë se e kanë godinën e tyre të pabanueshme, janë strehuar pranë konvikteve dhe po shikohet që sa më shpejt të gjejmë mënyrën për t’i sistemuar edhe ata”.

Sa i përket situatës së arsimit dhe shkollave të përkohshme, Xhafaj tha se: ”Që nga dita e hënë kur ka filluar shkolla edhe në bashkinë Kurbin janë 6 shkolla që janë të papërdorshme dhe ajo që kemi bërë është që kemi lëvizur tek shkollat e tjera me dy turne. Ata janë më shumë se 160 nxënës, të cilët janë të strehuar në hotele dhe po transportohen në drejtim të shkollës. Tek ato shkolla që janë të përdorshme dhe që janë kontrolluar në vazhdimësi nga grupet e vlerësimit, kemi kaluar në regjim me dy turne në mënyrë që të kemi mundësi që të mos mungojë shërbimi arsimor për nxënësit”.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?