Situata në PD, Fatbardh Kadilli: Tashmë kemi “de facto” dy parti
Tashmë në PD janë dy data për një Kuvend të vetëm Kombëtar. Sali Berisha e ka thirrur më 11 dhjetor, kurse kryesia e partisë me propozim të Bashës me 18 dhjetor. Për Fatbardh Kadillin kjo është e papranueshme dhe për të kemi tashmë ”de facto” partinë e ndarë.
“Ngjarja është e shëmtuar, e dhimbshme për demokratët, nga dje kemi “de facto” partinë e ndarë, me dy kuvende, një e Berishës dhe një të Bashës. Unë dua t’i flas të dyja palëve. Është e dukshme që ka më shumë zoti Berisha, por një i vetëm që të jetë nga ana tjetër, ne nuk mund ta lëmë të vetmuar”. Gjithashtu kritika Kadilli ka për të dy protagonistët e përçarjes në PD.
“Mesazhi më i hidhur është për demokratët se kanë besuar se të dy liderët do të kishin përgjegjshmërinë që mos ta çonin situatën deri këtu, pavarësish kush ka të drejtë. Moralisht, mund ta ketë të drejtë Berisha, ligjërisht Basha, por tani ne kemi dy parti, dy kuvende.
Të dy panë zgjidhje për veten e tyre, për projektin e tyre, që nuk i përgjigjet të gjithë demokratëve. Kam kërkuar disa herë që Basha të jepte dorëheqjen, sepse është humbës përsëritës, dhe 4 muaj që u zgjodh ju përça partia. Pjesa më e madhe e atyre që janë në kryesi nuk janë persona me dinjitet politik, që të bëjnë një betejë politike. Janë anonimë politikë, Basha sot është i rrethuar nga persona që më shumë i prishin punë.
Ndërkohë, Berisha duhej të vetëpërmbahej nga rimarrja e kontrollit. As Basha as Berisha nuk janë zgjidhje, as njeri as tjetri nuk bëhen kryeministër, nuk ia kanë arritur bashkë, jo më të ndarë”, thotë Kadilli, i ftuar në A2 CNN.
KOHA JONË SONDAZH

