Situata në Rinas/Avokati Shehu: Konventat e ndalojnë arrestimin e punëmarrësit për ndërprerje të punës
Ngjarja në Rinas është e rëndë, pasi siç edhe avokati Isuf Shehi thotë që çështja e kontrollorëve të Albcontrol është një rast i zakonshëm i një marrëdhënie pune dhe nuk mund të arrestohet një punonjës se nuk dëshiron të vazhdojë punën. Sipas tij, nuk mundet që punëdhënësi të mbajë me detyrim dikë në punë.
”Ky është një rast i zakonshëm një marrëdhënie pune. Nuk e bën çështje të jashtëzakonshme fakti që janë kontrollorë të aeroportit. Janë procese që realisht nuk kanë pse të shtyhen dhe zvarriten dhe janë mbi bazë të dokumenteve të shkresave të punëdhënësit dhe punëmarrësit. I kanë vënë një emërtimi grevë por që mund të kishte dhe një emërtim të ndërprerjes së marrëdhënies së punës”, tha avokati.
Nga ana tjetër Shehu thekson se “kur dikush vendos të ndërpresë punën nuk mund të procedohet penalisht” por në të tilla raste mund të ndiqet procedura ligjore nga punëdhënësi për të kërkuar vetëm dëmshpërblim nëse ka arsye.
”Kodi i Punës ka vetëm dëmshpërblim për ndërprerjen e punës. Konventat e ndalojnë punësimin e detyrueshëm apo të forcuar. Të arrestohesh se nuk do të shkosh në punë kjo është e papranueshme”, tha avokati për ”Euro News Albania”.