Situata në spitale? Brataj: Më shumë pacientë që dalin se shtrimet e reja
Shqipëria ka shënuar një numër të ulët të shtrimeve në spitalet Covid. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, thotë se numri i pacientëve që dalin nga spitale është tashmë më i lartë se ai i të shtruarve ditore.
”Për fatin e mirë numri i të shtruarve në spital po bie në muajin nëntor se patëm një indeks që është 5 ose 6. Në Dhjetor, kjo shifër ka shkuar në negative, pra më shumë dalin se sa hyjnë, i bie jemi tek -2, -3”, tha Brataj.
Po ashtu pacientët e prekur nga Covid po qëndrojnë më pak ditë në spital. ”Kemi pasur një mesatare në periudhën e parë 12-14 ditë, ndërsa tani jemi poshtë 10 ditëshit, ose 5-7 ditë”, tha më tej Brataj.
Pas disa muajsh, e mërkura shënoi edhe shifrën më të ulët të vdekjeve ditore në spitale me 6 raste. Nga sot në vend hyjnë në fuqi edhe masat e reja kufizuese duke zgjeruar kufizimin e lëvizjes së qytetarëve prej orës 20:30. Ekspertët thonë se ulja e kurbës së të infektuarve dhe atyre të shtruarve në spital janë rezultat i masave të marra tre-katër javë më parë.