“Situata në vend po mbërrin nivele absurde”, PDIU: Prokuroria të dalë nga vetëizolimi dhe të hetojë
PDIU ka reaguar përmes një deklarate shpërndarë mediave lidhur me situatën në vend pas shfaqjes së Covid 19.
“Sot numri i të infektuarve arriti shifrën më të lartë përgjatë këtyre 7 javëve. Pas 7 javësh izolim shqiptarët do duhej të kishin mbyllur edhe numrat e vegjël me të cilat situata u paraqit qysh në fillim. Të infektuarit vijnë nga lënia hapur e fasonerive dhe nga shpërndarja në burgje, të cilat janë përgjegjësi direkte e qeverisë.
Rregjimi i Facebook-ut që nuk linte orë pa dalë në media për ti treguar shqiptarëve malet me të vdekur e të tmerronte fëmijë e të moshuar, ka ditë që hesht e nuk thotë asnjë fjalë për vendimet personale, për lënien hapur të fasonerive dhe call-centerave.
Në kohën kur në shtëpi mbylleshin të moshuar e fëmijë, burra e gra që mundet edhe të kishin vende pune me shumë pak njerëz, rregjimi lejonte që qindra vetë të punonin në kushte ku nuk sigurohej asnjë mundësi distancimi.
Situata rëndohet edhe më shumë nga shtimi i ritmit të vjedhjes përmes tenderave që shpallen sekret, e ku letra higjenike po përbën një sekret të madh shtetëror. Abuzimet vazhdojnë të rriten ndërsa vendimarrja vazhdon të çorientoje cilindo qytetar të këtij vendi.
Në ditët në vazhdim do kemi një komunikim të përditshëm e do denoncojmë çdo arbitraritet që rëndon në kurriz të shqiptarëve dhe bizneseve ne vend. I bëjmë thirrje Prokurorisë të dalë nga vetizolimi dhe të hetojë, pasi niveli i absurdit të situatës dhe dëmi në ekonominë shqiptare po çon vendin drejt falimentit.”- thuhet në deklaratë.