Situata nga koronavirusi, Arben Malaj: Tre problemet kryesore me të cilat përballet ekonomia. S’ka nevojë për zgjidhje emocionale
Në një lidhje telefonike me News24, ish-ministri i Financave, Arben Malaj deklaroi se qeveria duhet të ndërmarrë tani masa konkrete për të ndihmuar ekonominë, pas përhapjes së koronavirusit.
Sipas tij, duhen lënë deklaratat dhe të zhvillohen takime me bizneset për të konkluduar një paketë të qartë.
“Ekonomia shqiptare është prekur tashmë dhe këtë e tregon fakti që duhet të rrimë të mbyllur. Përballemi me tre probleme kryesore, financimi për sektorin e shëndetësisë, gjë që bëhet me buxhetin që qeveria ka dhe në një moment tjetër mund të rishikohet buxheti. E dyta, nëse është humane që të shpëtojmë sa më shumë njerëz, nga ana tjetër nuk duhet të lëmë njerëz të vuajnë për bukën e gojës. Duhet bërë maksimumi nga pikëpamja njerëzore, e treta, sa do të preket ekonomia? FMN e tha qartë që do të preket, por sa më shumë zgjat kjo situatë aq më shumë do të preket ekonomia. Do të duhet bashkëpunim i BSH me MF por edhe me përfaqësuesit e biznesit për të përcaktuar masat konkrete. Jemi në kohë për të marrë masa, palët duhet të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë. Ka propozime për falje detyrimesh, por deri ku? Duhen shtyrë në kohë detyrimet që duhen shlyer nga qytetarët, kostot e kësaj krize duhen shtyrë në kosto afatmesme. Ka vende që japin kredi pa interes, e rëndësishme është të krijohet besimi që palët po mundohen të gjejnë zgjidhjen më të mirë. S’ka nevojë për zgjidhje emocionale, por për zgjidhje optimale”, tha ai.
Malaj shtoi se, aktualisht më të goditur janë bizneset fasone dhe ato që kanë natyrë prodhimi.