Situata nga moti i keq sipas qarqeve: Bora bllokon zonat malore, Vlora nën ujë
Ministria e Mbrojtjes bëri me dije situatën më të fundit nga moti i keq në vend, ku në zona me lartësi mbi 400 metër mbi nivelin e detit, ka pasur reshje dëbore. Situata në tërësi nuk është problematike, ndërsa reshjet e dëborës kanë bllokuar disa akse të thella malore. Intensiteti më i lartë i reshjeve ka qenë në pjesën e dytë të ditës, shoqëruar me breshër të izoluar. Era ka fryrë e fortë, në bregdet deri 55 km/orë, nga juglindja.
Qarku Shkodër
Aksi rrugor rural Shkodër-Theth është i bllokuar nga dëbora në vendin e quajtur Qafë Thore. Aksi rrugor rural Shkodër-Breg Lumi, në vendin e quajtur Mali Shoshit, është i bllokuar pasi ka rreth 30 cm dëbore. Aksi rrugor rural Selcë-Vermosh është i kalueshëm me zinxhirë pasi ka rreth 30 cm dëbore. Në të gjitha këto akse vazhdojnë reshjet e dëborës.
Bashkia Pukë
Territori i bashkisë Pukë prej mëngjesit është përfshirë nga reshjet e borës. Deri në këto momente situata paraqitet e qetë dhe pa probleme, ndërkohë që reshjet e dëborës vijojnë të bien me intensitet të lartë. Trashësia e borës në qytet është 3 cm, ndërsa në lartësitë malore i ka kaluar 20 cm. Të gjithë akset rrugore nacionale dhe rurale në territorin e bashkisë Pukë janë të kalueshme pa probleme. Në akset rrugore nacionale mjetet e subjektit kontraktor që mirëmbajnë këto akse po punojnë me intensitet. Në aksin rrugor nacioanal Pukë-Fushë Arrëz, si dhe anasjelltas, është e domosdoshme hedhje më shumë e kripës në rrugë, pasi në disa pika ka rrezik rrëshqitje të automjeteve.
Bashkia Fushë-Arrëz
Në disa segmente kalimi është me vështirësi dhe rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Aksi rrugor rural Fushë Arrëz-Iballë është hapur dhe po punohet për mbajtjen hapur të tij pasi reshjet e dëborës po vazhdojnë të bien dhe i kalojnë 50 cm në disa segmente të tij.
Qarku Kukës
Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës dhe pjesërisht ato të shiut të shoqëruar me erëra të forta nga verilindja. Aktualisht akset rrugore nacionale që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë nën prezencën e borës dhe efektin e rënies së gurëve dhe dherave prej skarpateve. Rruga e Kombit është e kalueshme normalisht. Po punojnë 4 borëpastruese dhe 4 janë në gatishmëri. Lartësia e borës në Tunel-Kalimash është 20 cm. Gjithsej nga firmat kontraktore janë vënë në punë 16 mjete me 64 punëtorë, 10 mjete janë në gatishmëri.
Qarku Dibër
I gjithë qarku Dibër është përfshirë nga reshje të dobëta shiu dhe bore, ndërsa në orët e pasdites reshjet e shiut filluan me intensitet më të lartë, shoqëruar me dëborë të dendur qenë disa zona arriti deri në 40 cm. Problem është shfaqur në segmentin e aksit rrugor nacional Qafë Bualli-Martanesh, bashkia Bulqizë, pasi nga reshjet e dëborës është bllokuar ky segment, por po punohet me fadromë nga subjekti kontraktor, i cili po mban këtë aks rrugor të hapur. Problem përben segmenti rrugor nacional Ura e Qytetit-Zerqan, bashkia Bulqizë, ku ka prani të mbi 25-30 cm dëborë, rruga e bllokuar. Po punon subjekti kontraktor për hapjen e saj. Gjithashtu, problem në qarkullim nga reshjet e dëborës përben rruga nacionale Ura e Çerenecit-Steblevë, ku kalohet me vështirësi. Rruga rurale Klenjë-Trebisht-Ostren, është e bllokuar pasi ka prani të mbi 40 cm dëborë. Në pikën doganore të Trebishtit ka pasur një bllokim të përkohshëm të aksit rrugor, por ky aks rrugor është i kalueshëm.
Qarku Korçë
Gjatë mesditës pati reshje të dendura dëbore dhe për këtë arsye pati vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor nacinal Pogradec-Qafë Thanë, por ndërhyra e 5 mjeteve borëpastruese bëri të mundur hapjen e aksit.
Qarku Vlorë
Bashkia Vlorë u ka bërë thirrjeve banorëve që banojnë pranë lumit të Izvorit të marrin masa pasi reshjet e shiut do të vijojnë dhe rrezikohen të përmbyten gjatë natës. Apeli u drejtohet kryesisht banorëve të zonës Dukat-Orikum, të cilët kanë banesat afër lumit të Izvorit që të marrin masat për largimin e bagëtive dhe largimin nga banesat pasi reshjet do të vazhdojnë. Rreziku më i madh në këtë zonë është për të paktën 10 banesa.
KOHA JONË SONDAZH

