Situata pas reshjeve, ARRSH: Akset problematike monitorim 24 orë

Disa rrugë në Durrës u gjendën nën ujë prej shiut të së hënës. Fëmijë e pleq u gjendën në vështirësi. Reshjet bllokuan kanalizimet duke krijuar përrenj nëpër rrugë. Moti i keq shkaktoi edhe vonesa të trageteve që mbërrijnë nga Italia, jo vetëm në Durrës por edhe në Vlorë pasi deti i trazuar pengoi lundrimin. Sipas kapitenerisë së portit të Vlorës fuqi e dallgëve në det të hapur shkon deri në 8 ballë. Më tej në jug reshjet kanë shkaktuar bllokime nga inertet edhe në aksin Kordhocë-Gjirokastër. Ka rrëshqitje dheu dhe bllokim të aksit drejt Koshovicës dhe Llongos në Dropull. I rrezikuar për përmbytje mbetet edhe aksi nacional pranë Gjirokastrës.

“Akset problematike, monitorohen 24 orë nga inspektorë të ARRSH”, kështu është shprehur drejtori i Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptarë, Erion Koka për sa i përket reshjeve të dendura të shiut në të gjithë vendin tonë gjatë orëve të fundit. Koka ka shtuar se situata me reshjet nuk është alarmante dhe se problemet e shfaqura me përmbytjet e rrugëve kanë marrë zgjidhe ose do të zgjidhen në orët në vijim. “Veriu dhe jugu ka qenë më problematik, Qarku i Gjirokastrës, dalja e ujit afër liqenit të Viroit. Akset problematike monitorohen 24 orë. Nuk ka asnjë rrugë të bllokuar. Punimet janë kryer dhe janë inspektuar. Kemi grupe në mbikëqyrej dhe kemi inspektorët që i vëzhgojnë rrugët. Për çdo taksë për mirëmbajtjen e rrugës”,-tha për ”Report TV”.

Sa i përket situatave në javët në vijim, Erion Koka është shprehur se nuk ka asgjë për tu shqetësuar, pasi është normale që në këtë stinë të vitit të ketë reshje të dendura dhe që të krijohen problematika të ndryshme. Ai ka deklaruar se edhe në vendet shumë të zhvilluara reshjet e dendura sjellin probleme me përmbytjet kur ka shi intensiv. Koka ka theksuar se ARRSH merr informacione nga një rrjet i kryqëzuar institucionesh për çdo situatë problematike që pritet të ndodhë me motin. “Jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me IGJEUM. Njoftohemi për çdo gjë për zonat problematike, kur ka një rrezik për një moment të caktuar. Parashikohen reshje por nuk është se do të jenë shumë problematike. Është një qendër në Slloveni që na njofton për rastet e rrezikut stuhive. Njoftohemi gjatë të gjithë kohës. Kemi informacione nga një kryqëzim institucionesh. Ditët problematike jemi 24 orë në vëzhgim. Nuk është problematikë në horizont”.

Për sa u përket kompanive kontraktore që merren me mirëmbajtjen e rrugëve, Koka është shprehur se të gjithë këto kompani e kanë krijuar intinerarin që duhet ndjekur për çdo muaj dhe i dinë situatat që krijohen dhe për këtë arsye kanë inspektorë në terren që bëjnë të mundur mbikëqyrjen e zonave problematike.

SHKARKO APP