Situata serioze në Infektiv, Manastirliu tregon skenarët nëse shtohen rastet e rënda
Spitali “Shefqet Ndroqi” mund të kthehet sërish në COVID2 nëse vijojnë të rriten rastet e rënda në spital që kërkojnë terapi intensive. Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ndërkohë që në raportimin e përditshëm të situatës nga pandemia në vendin tonë, Eugena Tomoni tha se situata në Spitalin Infektiv është serioze.
Manastirliu ishte sot për të inspektuar spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” në kuadër të forcimit të njësive të terapisë intensive në spitalet universitare dhe rajonale.
Duke deklaruar se po merren masat për përballimin e fluksit të shtuar si pasojë e COVID19, Manastirliu tha se do të konsiderohet rihapja e “Shefqet Ndroqit”, me shtimin e rasteve të rënda në terapi intensive.
“Është bërë edhe parapërgatitja për çdo skenar të mundshëm edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ju keni eksperiencën e parë të fituar dhe ajo çfarë do të bëjmë është vijimi I fuqizimit të kapaciteteve të spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ dhe sigurisht mundësia e rikthimit në spital COVID në rast se do të kemi flukse të mëdha në terapinë intensive”, tha Manastirliu.
Sipas skenarëve të paracaktuar, në këtë faze, nëse do të rriten shtrimet në spitalin infektiv, do të vijohet me hapjen e spitalit COVID3 (Ish-Kirurgjitë në QSUT) dhe paralelisht, nëse shtohen rastet në terapi intensive do të konsiderohet hapja edhe e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ për trajtimin e të prekurve me COVID19 në gjendje të rëndë dhe më pas është parashikuar COVID4 në varësi të fluksit.
“Ne sot ofrojmë të gjitha terapitë që edhe spitalet në botë ofrojnë pa asnjë dallim. Por në këto momente ashtu siç na duhej në fillim dhe në vazhdim do të na duhet bashkëpunimi i qytetarëve, i cili është mëse i domosdoshëm në mënyrë që ne të kemi mundësi që ta përballojmë edhe këtë fazë të dytë me Covid19. Është një fazë jo e lehtë. Ka shumë të bëjë sjellja individuale në raport me masat që ne kemi vendosur duke filluar që nga protokollet e thjeshta në aktivitetet e përditshme: Mbajtja e distancës, larja e duarve, vendosja e maskës e deri tek protokollet në spitale. Të gjitha këto janë pjesë e gjithë strategjisë për të luftuar Covid19”, tha Manastirliu.
Prof. Kapisyzi bëri thirrje qytetarëve për përdorimin e maskës, pasi siguron një mbrojtje të lartë.
“Unë desha të shfrytëzoj rastin, të jap një mesazh që ndryshe nga faza e parë ku distancimi ishte elementi kryesor, në fazën e hapjes elementi kryesor është maska.
Tashmë janë të vërtetuara shkencërisht që përdorimi i maskës ul në 70% shkallën e infeksionit. Nëse duam të ulim këtë valë tsunami të avashtë, duhet të përdorim maskat”, tha Kapisyzi.