Situatë kritike në Shëngjin, flakët arrijnë shumë pranë hoteleve. Gjatë natës u evakuuan turistë e banorë

Situata me zjarret në Shëngjin është pranë një tragjedie. Flakët po përparojnë me shpejtësi të madhe në një tjetër zonë, ku pranë ka banesa dhe hotele ku akomodohen banorë dhe turistë. Zjarri po ndihmohet nga era, ndërsa forcat zjarrfikëse janë prej orësh në luftë me flakët. Flakët po vijojnë të hapen me shpejtësi të madhe edhe në zonën e rrugës Shëngjin-Velipojë, po ashtu është aktivizuar një tjetër vatër zjarri e re në anën tjetër të malit.

Edhe pse po punohet nga toka dhe ajri, situata mbetet kritike në këtë zonë, ku zjarri po afrohet dhe pranë disa bizneseve dhe banesave. Prej orës 07:00 të mëngjesit të 30 korrikut ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter, me shpresën për të neutralizuar flakët.

Gjatë gjithë natës është punuar për shuarjen e flakëve, ndërsa u evakuuan banorë dhe turistë të shumtë që po pushonin këtë zonë në kulmin e sezonit turistik. Tymi ka mbuluar pjesën më të madhe të plazhit, ndërsa zjarri po përparon drejt zonës së mbrojtur të Ranës së Hedhun.

Flakët dolën jashtë kontrollit mesnatën e 30 korrikut, ndërsa policia ka bllokuar rrugën që të çon drejt zonës turistike të Ranës së Hedhun për të shmangur rrezikun për banorët dhe turistët. 20 mjete zjarrfikëse punuan në terren gjatë natës nga disa qytete

SHKARKO APP