Sizmologët e Ballkanit mblidhen në Tiranë: Shqipëria të nxjerrë mësime nga tërmeti. Duhet hartë e re sizmike dhe eurokode
Institucionet shqiptare kanë nisur punën për hartimin e kodeve të reja të ndërtimit dhe përditësimin e hartës sizmike në gjithë vendin. Sot është zhvilluar në Tiranë takimi i parë mes sizmologëve të rajonit dhe ekspertëve të Akademisë Shqiptare të Shkencave, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
Sizmologët e huaj thanë gjatë takimit me akademikë dhe kolegë shqiptarë se Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga tragjedia e 26 nëntorit. Spiros Pavlides, profesor i Gjeologjisë në Universitetin e Selanikut, i bën thirrje qeverisë shqiptare të miratojë hartën e re sizmike dhe eurokodet në ndërtim. “Shqipëria është një nga vendet më sizmike të rajonit. Nuk mund të bëhen parashikime për tërmetet por në bazë të statistikave. Duhet të ndërmerren hapa shkencore dhe ligjore në mënyrë që qëndrimet e reja të jenë të qëndrueshme”, deklaroi profesori grek gjatë takimit.
Sizmologët në takim thanë se tërmeti i 26 nëntorit ishte i një force të madhe dhe do të duhet deri në një shekull që të ketë një tjetër me të njëjtën forcë. “Ai (tërmeti) e mbaroi punën e vet. Një tërmet i këtillë nuk vjen më në Shqipëri, me një forcë siç iu është futur tmerri njerëzve që do të vijë një goditje kaq e tmerrshme. S’ka për të ardhur sepse….ky donte një shekull që të akumulonte gjithë energjinë që të shpërthente këtë tërmet të tmerrshëm“, – tha prof. Shyqyri Aliaj.
Ndërsa sizmologu grek Pavlides solli dhe përvojën greke në fushën e ndërtimit, e cila është një nga më të mirat në rajon. “Ne në Greqi kemi kodet më të mira sepse ishin tërmetet ata që na përcaktuan kodet e reja. Sot kemi kodet greke dhe europiane, por në disa pjesë kodi grek është më i mirë. Harta sizmike dhe kodet ne i ndryshojmë çdo 5 vjet, në varësi të studimeve dhe rezultateve Akademia e shkencave dhe ekspertet e sizmologjisë po përgatitin hartën e re sizmike dhe propozimet për kodet e reja të ndërtimit”,- tha Spiros Pavlids.