S’ka azil në Francë, riatdhesohen edhe 25 shqiptarë

Edhe 25 shqiptarëve i është refuzuar azili në Francë dhe për pasojë janë riatdhesuar në Tiranë. Ky operacion është zhvilluar në bazë të një marrëveshjeje me autoritetet përkatëse të BE-së, me të cilët janë bashkërenduar veprimet. Policia e shtetit ripërsërit thirrjes që të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.

“Operacione të tilla riatdhesimi do të vijojnë edhe gjatë muajve në vijim. Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero. Policia kufitare ka shtuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, për dokumentacionin dhe plotësimin e kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka forcuar kontrollet në kufirin e gjelbër”, njofton policia.

Më herët ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka thënë se në 7 vjet qeverisje të Edi Ramës janë larguar nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, 219 mijë persona, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj.

”Shqipëria në azilkërkim. Ky është peshqeshi që u la shqiptarëve qeverisja e Ramës në këto 7 vite. Faktet janë kokëforta dhe nuk i zbeh dot asnjë formë e propagandës bajate të Rilindjes: 219 000 të larguar. Mesatarisht 31307 shqiptarë në vit janë larguar nga vendi që nga dita kur Rama ka nisur të flasë dhe të aplikojë vizionin shterpë mbi ekonominë dhe politikën. 1 në 3 të larguar janë të rinj. Të dështuar në gjithçka, veç dëshirës për të gënjyer. Të vjetër dhe pa vizion. Shqipëria në Punë dhe shqiptarët në shtëpinë e tyre të madhe Shqipëri. Ky është vizioni ynë, dhe për këtë do të punojmë çdo ditë me seriozitet dhe përkushtim”.

SHKARKO APP