S’ka rritje ekonomike, Malaj: Jemi në ciklin e mbijetesës, qeveria fajtore

Qëndrimi i fortë i Bankës Botërore mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare, ku rishikoi në ulje rritjen e saj për këtë vit, ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen. Arben Malaj, ish-ministër i Financave, i ftuar në ”A2Cnn”, u shpreh se lajmi i rënies së rritjes ekonomike është paralajmërim serioz. Sipas tij, kriza politike ka ndikuar për keq në ekonomi dhe përgjegjësinë më të madhe e ka qeveria.

”Qeveria ka pushtetin për të bërë reformat e duhura që qytetari që e voton të jetë më mirë. Le të marrim rastin e hapjes apo jo të negociatave. Në të gjitha raportet që kanë bërë kompanitë e “rating”, kanë përmendur se Integrimi Europian është faktor pozitiv për vlerësimin e ekonomisë shqiptare. Që nga takimi Rama-Merkel nuk është bërë asnjë veprim serioz politik. Nëse nuk hapen negociatat, kjo do të ndikojë për keq dhe investitorët do të zgjedhin për të investuar vende të tjera me më pak risk. Gjithashtu, kriza ka sjellë humbjen e shpresës dhe njerëzit po ikin. Kriza politike nuk është fjalë goje”.

Ish-ministri i Financave nënvizoi se nuk duhet ta lëmë ekonominë të varur nga fakti nëse bie apo nuk bie shi. ”Nëse ka vullnet një qeveri, 4 vite i mjaftojnë për të vënë kollona të mira për të ardhmen e vendit. Një vend që nuk ka administratë publike, nuk zhvillohet dot. Ndryshimi i drejtorëve të doganave dhe tatimeve çdo 6 muaj tregon spontanitet”.

SHKARKO APP