“‘S’ka vend për vetëkënaqësi”, Shano: Po të ishte për librat e llogarive, Maqedonia do kishte marrë shumë më tepër borxh

Në kulmin e krizës që ka sjellë koronavirusi, Shqipëria arriti të emetojë në tregjet ndërkombëtare eurobondin me vlerë 650 milionë euro me një normë interesi prej 3.65% dhe afat maturimi 7 vjeçar.

Kryeministri e quajti “sukses të jashtëzakonshëm” dhe  “një vlerësim për librin e llogarive të një shteti të besueshëm”.

Ndërsa për këtë vetëkënaqje të kryeministrit, eksperti i ekonomisë Dritan Shano thotë se është e kotë pasi problemi me borxhet është zgjidhur shumë kohë më parë.

Në një intervistë për RTV Ora ai thotë se Ramës  i ka rënë kredibiliteti pasi të gjitha indekset ekonomike kanë pësuar rënie gjatë 7 viteve të tij në qeverisje.

E ndërsa shefi i qeverisë tha se tregjet e huaja i besuan librit të llogarive të Shqipërisë, Shano thotë se nëse marrja e borxhit do të varej nga kjo, Maqedonia e Veriut do të  kishte marrë shumë më tepër.

Shano: Vështirësinë për të marrë borxh Shqipëria e ka zgjidhur më përpara se Rama të vinte në pushtet. Borxhi merret për vendet që kanë një klasifikim. Këto gjëra janë zgjidhur shumë kohë përpara. Mundësia e Shqipërisë për të marrë borxh ka qenë gjithmonë atje dhe do të vijojë të jetë. Ne kemi mundësi të marrim borxh në të njëjtën përmasë që fusim të ardhura në buxhet. Sektori i jashtëm nuk do të dijë se ku i investon paratë që prodhon, ai do vetëm të dijë se ti ke mundësi për të shlyer borxhin që merr. 

Nuk ka ndonjë entuziazëm të madh për këtë gjë. Ramës i ka rënë kredibiliteti sepse të gjitha indekset që klasifikojnë një vend, transparenca e financave publike, niveli i produktivitetit të ekonomisë e të tjera me radhë. Të gjitha janë përkeqësuar në këto 7 vite. Po të shikoni librat, po të ishte i vërtetë ky pretendim i qeverisë, Maqedonia e Veriut do të kishte marrë shumë më tepër borxh dhe në kushte shumë herë më të mira. Sepse borxhin e saj me përqindjen e GDP-së e kanë 40 përqind, ndërsa neve po na shkon në 90. Lojrat e fjalëve sikur tregu ndërkombëtar shikon se sa bukur i ka bërë reformat nuk janë të vërteta. 

Ai ngre problemin e merrjes së borxhit nga tregu i jashtëm duke i pasuruar këto të fundit.

Shano: Kjo qeveri u ndihmua nga FMN që të mos rrëzohej sepse në momentin kur mori borxhin prej 174 mln euro me interes më të lartë se Eurobondi, qeverisë shqiptare i këcënohej fortë aftësia paguese kur e dinë shumë mirë që ky është viti që duhet paguar bondi i vjetër. Qeveria shqiptare duhet të marri borxh në tregun e brendshëm. Nuk ka asnjë arsye të marri para në tregun e huaj dhe për t’i pasuruar ata. Në tregun e brendshëm ne kemi 3 miliardë euro të lira që janë depozita të kusirmtarëve shqiptarë që janë atje të papërdorura prej shumë vitesh. Argumenti tjetër dhe i pafuqishëm se ne nuk marrim borxhh në tregun e brendshëm sepse po të merrnim borxh aty do të hiqnim këto para, tregu privat, nuk qëndron. Sepse kredia për ekonominë prej shumë vitesh ka stopuar.

SHKARKO APP