Skandali me barnat: Prokuroria, hetim dy ish-drejtuesve të Fondit

Pas kallëzimit të Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për abuzimet me medikamentet mjekësore. Gazeta “Shqip” shkruan se, nën hetim janë dy ish-drejtuesit e Fondit të Përgjithshëm, Astrit Beci dhe Sokol Skura, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Organi i akuzës ka dyshime se skandali i rimbursimit të ilaçeve është bërë me dijeninë e drejtuesve të Fondit të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas burimeve të gazetës, dyshohet se ish-drejtuesi Astrit Beci ka urdhëruar vartësit që të mos kontrollojnë depon farmaceutike “Omega Pharma”, administratori i kësaj të fundit është arrestuar më parë për skandalin e barnave.

Ish-drejtori Astrit Beci dha dorëheqjen sapo doli në skenë skandali me rimbursimin e barnave dhe falsifikimit të recetave.

Tashmë në Prokurorinë e Tiranës janë regjistruar tre procedime që kanë të bëjnë me skandalet në shëndetësi. Veç hetimit për dy ish-drejtuesit e Fondit, më parë Prokuroria ka regjistruar procedim penal edhe për rimbursimin e ilaçeve dhe dosja “Beqaj”, që ka të bëjë me koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë./Shqip/

SHKARKO APP