Skandali në Tiranë, familja mbetet e bllokuar në ashensor

NGA: OLA MITRE/*- Na kanë mbetur ca njerëz në ashensor. Kemi 20 minuta që morëm policinë dhe zjarrfikësen, por nuk kanë ardhur. S’dimë ç’të bëjmë. . .”. Këto ishin fjalët e para që dëgjoj nga një fqinja ime sapo hyra në katin e parë të pallatit. Drejtohem drejt ashensorit, ndërsa mbrapa tij, dëgjoheshin ca zëra të mbytur: “Ndihmë… Nuk mundem më.. . Na nxirrni”. Më pas të qarat e një prej fëmijëve, ndërsa një tjetër që i jepte forcë gjyshes: “Nëna duro dhe pak”.

2 prindër, së bashku me tre fëmijët e gjyshen e tyre kishin mbetur të bllokuar në ashensor. Pavarësisht se fqinja më tha se kishin njoftuar, vendos t’i telefonoj sërish 129-ës. Formoj menjëherë numrin e pas disa zilesh përgjigjet salla operative. – Zonjë, – i themkemi njoftuar rreth 20 minuta më parë për një bllokim ashensori, por askush nuk ka ardhur”. Nëpër mendje ndërkohë sillja faktin se shkak për vonesën mund të ishte bërë trafiku, ndonëse dje ishte një nga ditët më të qeta në këtë drejtim për shkak të festës së Fiter Bajramit. Jo! Nuk ishte kjo arsyeja. “Po prisni moj zonjë sepse kemi vrasje në Tiranë”, – më thonë nga salla operative.

E pabesueshme, por e vërtetë! Efektivja i referohej plagosjes së ndodhur dje në një lokal të Tiranës, a thua se në vendngjarje kishte zbarkuar gjithë Policia e Shtetit dhe pjesa tjetër e qytetarëve duhej të liheshin në mëshirë të fatit! “Njoftoni zjarrfikësen”, më thotë efektivja, pasi i isha kundërpërgjigjur se ‘fakti që ka ndodhur një vrasje nuk do të thotë se 6 njerëz të tjerë duhet të lihen të ‘vdesin’. Megjithatë, mbyll telefonin dhe formoj numrin e 128-ës (zjarrfikësja), të cilët po ashtu ishin telefonuar më herët nga fqinjët. Iu referoj rastin e më thonë se do të nisen menjëherë. Për hir të transparencës, e gjithë ngjarja zhvillohej në një pallat në zonën e Freskut, ndërkohë që zjarrfikësja ndodhet jo më shumë se 3 kilometra larg.

Për siguri, vendosim që një prej banorëve, t’i presë jashtë, për të mos ngatërruar adresën. Ndërkohë, dukej se gjërat do të shkonin drejt zgjidhjes: 2 efektivë policie, 45 minuta pas njoftimit të parë, mbërrijnë në pallat. Por, shpresat do të shuheshin shumë shpejt: Fatkeqësisht ata nuk mund të bënin gjë, pasi nuk kishin asnjë mjet ndihmës e nuk ishin të specializuar ‘për këtë punë’. Bashkë më banorët e tjerë të pallatit mendojmë se zjarrfikësja duhet të ishte duke mbërritur dhe se do të ishte më frytdhënëse, por kur kanë kaluar 10 minuta nga njoftimi, marr një telefonatë: Zonjë, nuk po gjejmë dot adresën. A mund të na e shpjegoni dhe një herë? Paralelisht 6 të bllokuarit, bërtisnin herë pas here për ndihmë.

Pasi rishpjegoj adresën u deshën edhe 15 minuta të tjera që zjarrfikësja të mbërrinte. Ironi apo jo, ‘vegla’ e vetme që dispononin ishte vetëm një levë “që nuk dinin se për çfarë do e përdornin”. As zjarrfikësit nuk mund të ndihmonin të bllokuarit! Përballë kësaj situate, një prej banorëve angazhohet të gjejë një teknik ashensori: Ndoshta këtë duhej të kishim bërë që në fillim. Megjithatë, pasi bashkojnë forcat, banorë të pallatit arrijnë të nxjerrin vetë 6 të bllokuarit. Edhe këtu menduam se erdhi fundi dhe se gjithçka të paktën përfundoi mirë. Jo!

Më e moshuara, pasi del nga ashensori nuk ndjehet mirë e për pasojë humbet ndjenjat. “Kemi ambulancën jashtë. E kam njoftuar që të vijë që kur erdhëm ne”, thotë njëri prej policëve. Por, edhe kjo ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Nuk kishte as ambulancë e as mjek. Për siguri telefonoj edhe vetë Urgjencën e Tiranës. Ora është 12 e 25 minuta. Në ndryshim nga policia apo zjarrfikësja, askush nuk përgjigjet. Pasi provoj disa herë, heq dorë! Mbrapa telefonit të urgjencës, dukej se nuk qëndronte askush. E moshuara sa vinte dhe rëndohej, ndërsa nusja na thotë se vuan nga diabeti dhe se para 2 javësh kishte bërë koronarografinë për zemrën. Për fat, një prej banorëve të pallatit është mjek. I jep ndihmën e parë, në pritje të autoambulancës, që nëse llogarisim momentin kur erdhën policët, do të thotë se ishte 1 orë me vonesë. Gjithçka përfundoi pas dy orësh, ndërsa i vetmi mendim që më rrotullohej pas saj ishte: “Fatmirësisht ekzistojnë fqinjët!”.

GSH

SHKARKO APP