Skandali, Shërbimi Social: Nesër, takim me drejtuesit e të gjitha jetimoreve

Rasti flagrant në jetimoren e Shkodrës, ka vënë në alarm institucionet e Shërbimit Social Shtetëror për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.

Drejtoresha e SHSSH-së, Etleva Bisha, njoftoi se nesër do të organizohet një takim me të gjithë drejtuesit e qendrave të përkujdesit.

“Këtë lloj vlerësimi ne duhet ta kryejmë tani megjithatë nuk do doja që ky rast që ka ndodhur, që është i patolerueshëm, nuk duhet të përgjithësohet dhe të krijohet mendimi se edhe në qendrat e tjera ndodh e njëjta gje. Madje edhe në këtë qendër nuk ka pasur indicie dhune. Ne do të bëjmë një vlerësim për të kuptuar se çfarë nuk ka funksionuar dhe pastaj për të adresuar të gjitha problemet e mundshme që rasti mos të përsëritet. Nesër do të kemi një takim me të gjithë drejtuesit e qendrave të përkujdesit. Do të vijojmë me monitor të thelluar të të gjithë qendrave", tha ajo.

Bisha shtoi gjithashtu se rasti i dhunës në jetimoren e Shkodrës është një ngjarje e patolerueshme dhe e dënueshme. Ajo shtoi se një grup ekspertësh janë nisur drejt jetimores në fjalë për të bërë vlerësimin e asaj çfarë ka ndodhur realisht

“Padiskutim që është një ngjarje e rëndë, e patolerueshme dhe e dënueshme. Për ne si shërbim social është ngjarje që na ka tronditur dhe është shoqëruar me një reagim të menjëhershëm. Kemi kryer menjëherë shkarkimin nga puna të punonjësve që kanë shkaktuar situatën dhe njëkohësisht është kryer edhe kallëzimi penal, si për ushtrim dhune ashtu dhe për neglizhencë e shpërdorim detyre nga ana e punonjësve. Nuk kemi ngelur deri te këto masa, por ne si shërbim social kemi nisur një grup ekspertësh tek shtëpia e fëmijës në Shkodër, janë psikologë, që nuk do kryejnë një vlerësim të asaj çfarë ka ndodhur por mbi të gjitha do të ofrojnë të gjithë mbështetjen profesionale për të ndihmuar fëmijët dhe stafin", shtoi Bisha.

E pyetur sakaq, nëse ka pasur raste të tjera të denoncuara për dhunën ndaj fëmijëve jetimë, drejtoresha e SHSSH-së u shpreh  se gjatë këtyre dy viteve kemi punuar për t’i parandaluar raste të tilla brenda qendrave jetimore".

"Kemi punuar me stafet brenda qendrave përmes monitorimeve që ne kryejmë si shërbim social në mënyrë permanente, duke ofruar mbështetje prej ekspertëve të jashtëm. Që prej një viti ne kemi caktuar një grup ekspertësh që merren me monitorimin e cilësisë së shërbimeve ndaj fëmijëve në qendrat jetimore. Nëpërmjet tyre stafi mund të kryejë më mirë detyrën e tij. Nuk kemi pasur indicie përsa i përket shtëpisë së fëmijës në Shkodër. Nuk kemi pasur indicie as nga stafi i jashtëm në këtë qendër për raste të mundshme dhune ndaj fëmijëve", shtoi Bisha.

SHKARKO APP