SKANDALI tjetër/ Polici i arrestuar në Durrës la të lirë të akuzuarin për përdhunimin e një vajze
Një nga punonjësit e policisë të arrestuar në Durrës bashkë me 16 efektivë e zyrtarë të pushtetit vendor për shpërdorim detyre duke lejuar ndërtime pa leje e duke mos zbatuar ligjin në një sërë ngjarjesh kriminale, ka pasur dijeni dhe ka ushtruar kontroll në banesën e një personi të shpallur në kërkim për përdhunim, por nuk ka kryer veprime për arrestimin e tij.
Bëhet fjalë për specialistin e krimeve, nën/komisaririn Ermand Petova, i cili në datën 9 nëntor 2019 ka referuar material hetimor për një person me emrin Sami H., i cili akuzohej nga një vajzë me iniciale V.J, se kishte kryer me forcë dhe pa dëshirën e saj marrëdhënie seksuale në makinën e tij. Pas disa veprimeve hetimore, prokuroria ka nisur hetime dhe ka ngarkuar oficerin Petova të policisë Durrës, të ndjekë rastin konkret me qëllim arrestimin e këtij personi të akuzuar si përdhunues. Sami H. në datën 5 nëntor 2019, është shpallur në kërkim me kartelë ngjyrë “Rozë”. Me qëllim kapjen e tij, rezulton se specialisti i krimeve Ermand Petova, ka raportuar se ka shkuar për kontroll banese tek shtëpia e Sami Hoxhës dhe nuk e ka gjetur atë në banesë. Ndërkohë një ditë më pas në datat 6 nëntor 2019 deri në 8 nëntor, i kërkuari për përdhunim Sami Hoxha dhe oficeri i policisë komunikojnë bashkë në telefon duke rezultuar se ata kanë njohje me njëri-tjetrin.
Nga këto biseda të bëra nga data 6 deri në datën 8 nëntor, rezulton se polici është në dijeni se njeriu në kërkim është banesën e tij, dhe nuk ndërmerr asnjë masë ndalimi për të. Më pas nën drejtimin e prokurorit, u kërkua që të kryhet veprime procedurale për të provuar faktin e përdhunimit të V.J, por për shkak të njohjes mes oficerin të policisë Ermand Petova dhe të dyshuarit Sami H., nuk pati rezultat për të provuar veprën penale të përdhunimit.
Nga transkiptimi i bisedave të përgjuara rezulton se për këtë rast ka dijeni dhe punonjësi tjetër i policisë, i cili quhet Petrit Neziri, SPS në stacionin e policisë në Manzë.
Ndërkohë një rast tjetër ku ky oficer policie Ermand Petova është përfshirë në veprimtari kriminale duke mos bërë detyrën e tij, është rasti kur në datën 10 nëntor 2019 ku merret njoftimi për vjedhjen e një dyqani të një qytetari R.Veli në fshatin Rrotull. Nga hetimi rezulton se nuk janë kryer veprime procedurale në lidhje me këtë ngjarje për të raportuar dhe referuar në prokurori. Nga transkiptimi i bisedave telefonike rezulton se kanë dijeni dhe punonjësit e policisë Sami Xhafa, Shef i Stacionit të Policisë Manzë dhe Petrit Neziri.
Gjithashtu në datën 9 nëntor 2019 në “komisariatin dixhital”, është raportuar se në fshatin Shetaj po zhvillohen punimet për ndërtimin e një ndërtese. Operatorët e komisariatit dixhital,kanë arritur të informojnë specialistët e krimeve që kanë në mbulim zonën, dhe në vend të që verifikonin se kush po ndërtonte dhe të merrnin masa për ndalimin e punimeve, rezulton se ata kanë shkuar në vendngjarje kanë marrë kamerat e sigurisë, për të parë se kush person kishte raportuar tek komisariati dixhital këtë ndërtim pa lejë që po kryhej në fshatin Shetaj.
/Shqiptarja.com