Skemat sesi Evis Berberi investoi 1 mijë euro dhe futi në xhep 500 mijë euro brenda pak muajsh

Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor shqiptar Evis Berberi, është përfshirë në një skandal të shumëfishtë, ku rezulton si pjesëmarrës në një skemë të dyshuar si fiktive për ndërrimin e pronësisë së një firme projektimi dhe mbikëqyrje punimesh ndërtimi, vlera e së cilës është rritur çuditshëm nga transaksioni në transaksion, për t’u dhuruar në fund tek i njëjti pronar që e krijoi shoqërinë.

Gjithçka ka nisur në gushtin e vitit 2017, kur Valter Begaj krijon kompaninë “B-VAAL ENGINEERING” me kapital 100 mijë lekë. Dy muaj me vonë, në tetor të 2017 Valer Begaj, krijon firmën “B–VAAL ENG–10 shpk”, me objekt veprimtarie të njëjtë si kompania e parë për projektim dhe mbikëqyrje ndërtimesh. Kapitali është po ashtu i njëjtë 100 000 lekë. Rreth një vit më vonë në 7 shtator të 2018, sipas kësaj kontrate Valter Begaj ia shet “B – VAAL ENG – 10 shpk’, Evis Berberit për 100 000 lekë, aq sa ishte dhe vlera e kapitalit.

Pasi bëhet pronar, Evis Berberi ia ndërron emrin kompanisë në “DAAM shpk”. Pak muaj më vonë më 31 janar 2019, kohë kur Evis Berberi emërohet këshilltar i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kompaninë që bleu për 100 000 lekë e shet për 500 000 euro te shtetasja Brunilda Buli. Pikëpyetjet e këtij trasaksioni janë të mëdha për shkak se vlera e kompanisë që Berberi e bleu për shumën modeste 100 mijë lekë u rrit me më shumë se 500 fish në pak muaj, duke u shitur për 500 mijë euro.

Sesi arriti Evis Berberi në pak muaj t’ia rrisë vlerën kompanisë të sapo blerë nga më pak se 1 mijë euro në 500 mijë euro, kjo është e paqartë, por kapitali i shoqërisë ka qenë i njëjtë. Transaksionet e dyshimta vazhdojnë më tej. Sipas një kontrate të firmosur më 23 dhjetor të 2021 Brunilda Buli, ia shet të njëjtën kompani themeluesit të saj Valter Begaj.

Po ndërsa në tetor të 2018, Valter Begaj ia shiti për 100 mijë lekë kompaninë Evis Berberit, 2 vite më pas ai e riblen të njëjtën kompani për 200 milion lekë rreth 1,7 milion euro me kursin valuator të kohës. 2 muaj pasi e ribleu Valter Begaj ia shet shtetasit në 21 shkurt të 2022 Ervis Lamit po për 1.7 milion euro kompaninë DAAM shpk. Por zinxhiri i trasaksioneve të dyshimta nuk mbaron këtu, sepse në 29 mars të 2022 Ervis Lami, ia dhuron falas Valter Begajt kompaninë DAAM shpk, ish B –VAAL ENG – 10 shpk të cilën ia kishte blerë po atij për 1,7 milion euro 1 muaj e gjysmë më parë.

Është e paqartë se pse pronësia e kësaj kompanie ndryshoi 6 herë në pak vite, ku vlera e shitjes shkoi nga 100 mijë lekë në 1,7 milion euro, për t’u dhunuar në fund tek i njëjti pronar që e krijoi shoqërinë. Në mes të transaksioneve qëndron Evis Berberi, i cili duke investuar më pak se 1 mijë euro në pak muaj futi në xhep 500 mijë euro, një sipërmarrje që do ta kishin zili sipërmarrësit e të gjithë botës. /Balkan Web/

SHKARKO APP