Skenarët se kush mund të marrë drejtimin e PD-së zyrtare
Pas dorëheqjes së kryetarit të komanduar, PD-ja zyrtare duhet të gjej një kryetar të ri që duhet të votohet me një anëtar një votë sipas përcaktimeve në statutin e partisë. Në statut përcaktohet se kur pozicioni i kryetarit të partisë lihet vakant, një nga nënkryetarët duhet të emërohet si i komanduar në drejtimin e partisë.
E vetmja që mund ta marrë drejtimin e partisë sipas statutit është Jorida Tabaku, por në kushtet që kjo e fundit e ka refuzuar një gjë të tillë vitin e shkuar, mbetet për t’u parë vendimi që do të ndërmerret.
Për drejtimin e grupit parlamentar dilemma mund të zgjidhet më shpejt, pasi aty nevojitet mbledhja e shumicës së anëtarëve të grupit parlamentar për të zgjedhur drejtuesin e ri dhe njoftimi i Parlamentit për ndryshimin.
Për këtë pozicion ka shprehur ambicien Ervin Salianji në fillimin e këtij viti, por i përfolur se mund të bëhet kryetar i grupit parlamentar ka qenë edhe Gazment Bardhi. Me gjithë këto zhvillime në atë që quhet PD zyrtare, ende nuk ka asnjë shenjë bashkimi me pjesën tjetër të partisë që është e rreshtuar në krahë të Berishës.