Skenari i Mihalit në Livadh, flet çifti: Pronarët kërkuan të paguanim për 3 netë, rezervuam 2
Pamjet në video janë një njollë turpi për turzimin shqiptar. Një familje turistësh me fëmijë të vogël denoncuan se u përballën të shtunën e 19 qershorit me terrorin dhe dhunën verbale të pronarëve të një hoteli në Livadh të Himarës ku kishin prenotuar për të kaluar fundjavën.
Të kontaktuar nga Ora News çifti i bashkëshortëve tregoi se kishin rezervuar përmes Instagramit për dy netë në një vilë në hyrje të fshatit, por në përfundim të qëndrimit pronarët kanë kërkuar të paguajnë edhe për një natë më shumë.
“Arsyeja e largimit nga vila ishte sepse 2 nete kishim rezervuar, gjithashtu nuk përmbushte kushtet për të cilat ishin ofruar dhe reklamuar” sqaron denoncuesja me iniciale A.M.
Sapo kanë lënë hotelin ata kanë hasur në rezistencën e pronarëve, të cilët tentuan t`i pengojnë të largohen.
E gjithë ngjarja terrorizuese ka ndodhur në prani të fëmijës 5 vjeç të çiftit.
“Në dalje të rrugës së Livadhit, në dishezën kryesore të Himarës, jemi sulmuar nga një zonjë dhe 2 meshkuj, të cilët hapën portat, sulmuan mjetin dhe kërcënuan se kanë armë” tregon denoncuesja për Ora News.
Edhe pse u njoftua për t`i dhënë zgjidhje ngjarjes që mund të kishte përfunduar me pasoja çifti i bashkëshortëve thotë se policia nuk mbërriti kurrë në Livadh.
Tashmë çështja ka shkuar në polici, aty ku kanë depozituar kallëzim jo vetëm pushuesit por edhe pronarët e vilës.
Këta të fundit akuzojnë turistët për shkatërrim prone, konkretisht djegien me hekur të disa çarçafëve.
Kjo ngjarje është thuajse përsëritja e skenarit të Mihal Kokëdhimës, ish-pronarit të një restoranti në Porto Palermo i cili në gusht të vitit 2019 terrorizoi disa turistë spanjollë, të cilët u larguan pasi mbetën të zhgënjyer nga shërbimi. / Ora News