Skenari si “Toyota Yaris”, sekuestrohet rreth gjysmë milioni euro në një kamion në port, erdhi dje nga Bari

Rreth gjysmë milioni euro u sekuestruan në portin e Durrësit në tentativë për tu futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

Pesë pako me kartëmonedha eurosh janë konstatuar pas mesditës së të shtunës në kamion me targa TR 2046 U  me drejtues shtetasin Andon Thanasi, 56 vjeç, i cili vinte nga porti i Barit në Itali.

Tentativa e ngjashme me atë të futjes së miliona eurove me “Toyota Yaris” nga porti i Durrësit në 2018 është zbuluar nga hetimi doganor në bazë të analizës së riskut, ndërsa pas konstatimit të kartëmonedhave është njoftuar policia e shtetit.

Kjo e fundit ka ndaluar drejtuesin e kamionit, i cili mësohet se punonte për llogari të një kompanie që kryen transport ndërkombëtar.

“Si rezultat i shtimit të kontrolleve, në hyrje të RSH-së, në vijën e dytë, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga strukturat doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, u ndalua mjeti kamion tip “Renault”, me drejtues A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë.Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara.Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës.Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në DVP Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa pakot e mbushura me euro u sekuestruan” njofton policia.

Nga ana tjetër mësohet se ngarkesa e kamionit ku u gjetën eurot ishte destinuar për një kompani shqiptare të industrisë fasone që prodhon veshëmbathje.

Rreth orës 13:00 policia nisi numërimin kartëmonedhave me një pajisje që bën kontrollin e tyre nëse janë të falsifikuara.

“Në përfundim të numërimit nga grupi hetimor dhe i filmuar me kamera i gjithë procesi i numërimit  rezultoi se në to kishte 498.850 euro” njoftuan blutë në orën 21:38 të mbrëmjes.

Drejtuesi i kamionit është marrë në hetim për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, ndërkohë që policia po heton për organizatorët e kësaj skeme që dyshohet se lidhet me pastrimin e parave.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, ato doganore dhe specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”.

Skenari si “Toyota Yaris”

Në vitin 2018 në portin e Durrësit u sekuestruan 3.4 milion euro të padeklaruara në dy makina në atë që tashmë njihet si çështja “Toyota Yaris”.

Kjo e fundit shkaktoi debate të forta politike në atë kohë pasi sekuestrimi u njoftua në publik nga një deklaratë në Kuvend e kryedemokratit Lulzim Basha, për të cilën ai ka dhënë edhe dëshmi në prokurori.

Pak kohë më parë gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për 6 personat e vënë nën hetim pas gjetjes së 3.4 milion eurove në makinat “Toyota Yaris”.

Masa “detyrim paraqitje’  është vendosur për kushërinjtë e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Elvis dhe Alfred Vladin, për babë e bir Edi Lika dhe Klevi Cani, Alban Mollaymeri dhe Agim Çekajn.

Akuza ndaj tyre u lehtësua pas ndryshimit të akuzës nga pastrimi i produkteve penale në mosdeklarim të të hollave në kufi. /Ora News

SHKARKO APP