Skëndër Brataj reagon për vdekjen e mjekut Drini Dobi: Lajm i kobshëm!
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj është shprehur i hidhëruar per ndarjen nga jeta të mjekut të njohur neurolog, Drini Dobi, i cili nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin.
Mesazhi i Bratajt:
Të dëgjosh humbjen e jetës së Dr. Drinit në emision televiziv! Jo, kurrë në asnjë vend dhe në asnjë moment nuk doja ta dëgjoja Drini Dobi këtë lajm të kobshëm.
O sa trishtim, o sa na lëndove Drini, o sa shpresuam të të shpëtonim! Kjo flamë të mundi, ty njeriun e pa përtuar, të mori se i duhesh edhe atje lart. Ti që ato vite të vështira të fakultetit i kaloje në sallën e leksjoneve deri në mesnatë duke studjuar, ti që student mbete gjithë jetën, ti që ishte nga më të mirët e neurologëve në Shqipëri dhe në botë, ike kështu pa pritur, kaq i ri, pa zhurmë e bujë.
Ti njeri i punës , i familjes dhe shoqërisë. Ti që u merakose aq shumë për bashkëshorten tënde kur u sëmur, i ndejte pranë derisa u shërua. Ti që më telefonoje ato ditë të tmerrshme marsi kur unë u sëmura dhe më jepje kurajo dhe këshilla mjeksore, më jepje besim dhe ishe i gatshëm për çdo ndihmë. Kur u ndodha në konferencën e parë të urgjencës mjeksore në Tiranë nuk e dija kush ishte referuesi i radhës. Rastësisht pashë emrin tënd sipas programit dhe të prezantova siç të kujtoja student.
Kisha 22 vite pa të takuar, pa e ditur si ishin ndarë rrugët e jetës. Më gëzove shumë atë ditë që u ritakuam. Ishe bërë ai specialisti i spikatur, i urtë, i qetë dhe shumë i ditur. Sot, pas shtatë vjetësh nga ajo ditë, ti nuk je më midis nesh. Drini kam dëgjuar koleg, qytetar apo çdo person tjetër në këto vite kur flitej për neurolog shqipëtar. Sapo dëgjonin emrin tënd, veç fjalë zemre flisnin. Normal që ato do të dëgjoja, se ato kishe lënë në kujtesën time, në kujtesën e brezit tonë. Mik, shok, koleg, është hera e parë që për ty nuk kam fjalë! Është hera e parë që për ty kam vetëm lot që nuk do të doja ti kisha kurrë! Na mbro nga aty lart, se thonë që zoti më të mirët i do për vete! Lamtumirë !